21 Marsi është Dita Botërore e Poezisë, e shpallur e tillë nga UNESCO në vitin 1999.
Përveç krijimit të një dite të veçantë në nderim të poezisë dhe krijimtarisë poetike, qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë.
Krijimtarinë letrare në Kosovë dhe përgjithësisht atë në gjuhën shqipe e dominon poezia. Ajo e mbajti gjallë thuaja edhe gjithë historinë kombëtare nëpër shekuj, si poezi popullore.
UNESCO e ka ndërmarrë këtë hap për t’i dhënë gjallëri, vlerësim dhe shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Dita e Poezisë dëshmohet se ka qenë e pranishme që prej vitit 1505.
Ajo është kujtuar në muaj të ndryshëm të vitit dhe në forma të larmishme organizimi, sipas veçorive, besimeve dhe parapëlqimeve të secilit komb.
Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.
Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muzeume, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj. Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.
- Advertisement -