Lëvizja Vetëvendosje del me kushte të reja për LDK-në?!

Lëvizja Vetëvendosje, siç merr vesh RTV21, ka vendosur kushte të reja për LDK-në, për arritjen e koalicionit qeverisës.

Burimet e afërta me të dy subjektet politike bëjnë të ditur se Albin Kurti i ka dërguar porosi Isa Mustafës me kushte të reja, që sipas Kurtit mund ta zgjidhin situatën dhe të mundësojnë arritjen e koalicionin LV – LDK, raporton RTV21 në sajtin e vet.

Merret vesh se Vetëvendosje ka propozuar Vjosa Osmanin si kandidate për Presidente, veprim ky që ka befasuar kreun e LDK-së. Propozimi i Kurtit, i është prezantuar Mustafës nëpërmjet palëve të treta dhe jo në takimet direkte që kanë pasur të dy liderët e partive.

Situata e krijuar ka vështirësuar edhe më shumë mundësitë për arritjen e marrëveshjes, ngase në LDK mendojnë se kandidati për President duhet të jetë i propozuar nga partia, e jo imponim nga Vetëvendosja.

Nga ana tjetër, mësohet se Vetëvendosja, në emër të pajtimit që LDK ta ketë postin e Presidentit me kandidat të “dirigjuar”, ka kërkuar edhe një kusht tjetër, që ajo të ketë 7 ministri, kurse LDK të ketë 3 ministri në kabinetin e ri qeveritar.

Këto rrethana gjithsesi kanë komplikuar situatën dhe mundësitë e krijimit të një koalicioni, një ditë para seancës konstituive të Kuvendit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT