Lëvizja FOL ka publikuar sot statistikat antikorrupsion të policisë, prokurorisë, gjykatave të Kosovës si dhe statistikat e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike për vitin 2014.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, njoftoi se të dhënat për lëndë të korrupsionit tregojnë se Policia e Kosovës, prokuroria dhe gjykatat gjatë vitit 2014 kanë trajtuar dhe pranuar në punë 3526 lëndë antikorrupsion. Nga këto lëndë Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe raportuese ka trajtuar gjithsej 557 raste, ndërsa për veprën penale të korrupsionit – marrje e ryshfetit ka trajtuar 22 raste, për dhënie të ryshfetit 47 raste dhe për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar 488 raste.
Nga këto raste Policia e Kosovës ka arrestuar 63 persona. Sipas tij, Prokuroria gjatë kësaj periudhe raportuese ka pranuar në punë gjithsej 1987 raste, ndër to për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka pranuar në punë 41 raste dhe ka zgjidhur 22 raste, për dhënie të ryshfetit 60 raste dhe ka zgjidhur vetëm 48 raste dhe për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar 1886 raste dhe ka zgjidhur 697 raste.
Gjykatat gjatë kësaj periudhe raportuese kanë pranuar në punë 982 raste, nga këto për veprën penale të korrupsionit marrje të ryshfetit ka pranuar në punë 126 raste dhe kanë zgjidhur 36 raste, për dhënie të ryshfetit 66 raste dhe ka zgjidhur 25 raste si dhe për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar 790 raste dhe ka zgjidhur 194 raste, tha Fidan Kalaja.
Kalaja tha se në përgjithësi lëndë të pazgjidhura të korrupsionit për vitin 2014, në Prokuroritë e Kosovës kanë qenë 1218, ndërsa në gjykata kanë qenë 727 lëndë.
Lëvizja FOL gjithashtu ka monitoruar punën dhe angazhimin e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë për vitin 2014. Të dhënat e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike tregojnë se për vitin 2014 vlera e përafërt e pasurive të ngrira ose të sekuestruara arrin në vlerën rreth 31 milionë euro.
Nga to para të gatshme janë mbi 1 milion euro, mbi 17 banesa, 8 vila, 11 shtëpi, 2 objekte ndërtimore, një hotel, 6 lokale afariste, 30 kg ari, si dhe restorante, fabrika, klinika etj. Gjithashtu, për pasuri të konfiskuar kemi rreth 15 vendime të gjykatës të cilat kapin shumën rreth 25 mijë euro, të cilat do të kalojnë në buxhetin e shtetit.
- Advertisement -