Sebi Alla

Shkruan Sebi Alla

Nëse koncepti opozitarizëm i fortë, denoncues dhe aksionesh deri në përballje të dhunshme ndaj së keqes do të kërkonte një emër, padyshim që Albin Kurti është personazhi më tipik, gati unik në Shqipëri dhe Kosovë. I pakompromis me idealet e shpallura, i akuzuar edhe si “ekstremist i majtë” në konceptin e barazitizmit, por edhe kritikues i vazhdueshëm ndaj faktorit ndërkombëtar, sot Albin Kurti duhet kthyer në partner të detyrueshëm, pas fitores në zgjedhjet e fundit në Kosovë, në një proces më se demokratik. Dhe, politika ndërkombëtare duket se gaboi duke mbajtur në këmbë një sistem politik për hir të “stabilokracisë” (koncepte këto të ndjekura si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri), pa i dhënë rëndësi demokracisë dhe mbi të gjitha duke mbyllur me dëshirë sytë nga gjithçka shkonte keq nga qeverisjet me korrupsionin, oligarkinë, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe abuzimeve që vinin nga pushteti i tejzgjatur.

Mësimi që dha Kosova, veçanërisht fitorja e Lëvizjes Vetëvendosja e Albin Kurtit, është më e madhe se vetë koncepti i brendshëm dhe i jashtëm që kanë për vendet e trazuara të Ballkanit. Është më shumë një shuplakë që vjen nga qytetaria poshtë, e cila duron gjatë, por të godet me armën më të fortë – votën e lirë.

Në Kosovë, nuk u krye vetëm një rrotacion politik, por u thye një mendësi që më së shumti vrau politikën e kompromiseve për të mbajtur pushtet dhe jo për të bërë shtet. Në këtë vorbull, goditja ishte edhe për ndërkombëtarët e rangjeve ambasadoreske, apo për të dërguar për çështje të veçanta të cilët për hir të një stabiliteti të shtirur, u bënë përkrahës të politikave që më së pari binin ndesh me interesat qytetare.

Sinjali i është dërguar gjithë Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha edhe BE-së që shumica e qytetarëve në vende si Shqipëria apo Bosnja janë të lodhur nga qeveritë sunduese të korruptuara, por prej dekadash konsiderohen si “partnerë të mire” në Bruksel. Shenjat e një revolte të brendshme kundër një klase kastë politike janë dhënë me protestat e studentëve apo opozitës në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, por pa arritur suksesin e dëshiruar. Oponionistët evrupianë shprehen se zgjedhjet në Kosovë janë shpresë se mund të kemi një ‘Pranvere ballkanike’, pasi qytetarët e saj janë kundër korrupsionit dhe autokracisë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja nuk është një rastësi në politikën Kosovare. Prej 20 vitesh gjithnjë ka qenë në opozitë, kaloi në burgjet serbe u dënua, ishte kundër marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës që e çlironin, por ende me kthetrat e pahequra nga Serbia dhe mbi të gjitha u kthye në opozitarin e pakompromis. Denoncoi gjatë, akuzoi fort dhe alternative sesi do të luftohet korrupsioni, oligarkie dhe nepotizmi. Të gjithë ngjitën në elektorat, që masivisht votuan dy forca opozitare, Lëvizjen Vetëvendosja dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me gjasë 44-vjeçari Kurti do jetë kryeministri i ri pasi të nënshkruajë marrëveshjen për bashkëqeverisje më së pari me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Në fakt, Vetëvendosje ka qenë prej kohësh forca më e fortë politike në vend. Sidoqoftë ajo deri më tani ishte e përjashtuar nga pushteti. Jo vetëm establishmenti politik ndjehej i kërcënuar nga programi reformator i partisë. Edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë e bojkotonin Kurtin si partner për bisedime, mes të tjerash sepse konsiderohej problematik. Ai edhe anëtarët e partisë së tij organizonin shpesh protesta të dhunshme në rrugë dhe në parlament, duke avokatuar bashkimin me Shqipërinë”. Kështu shkruan analisti Keni Verseck, për prestigjiozen “Spiegel”. Dhe, në fakt ky është thelbi, pasi faktori ndërkombëtar nuk ka humbur as minutin për t’u ulur dhe biseduar me Kurtin, tashmë jo si i padëshiruar, por si partner i mundshëm. Për ta, nëse do mbanin “stabilokracinë” edhe me atë politikë të mbytur në afera, do ishte më e lehtë për të gjetur kompromis, por kur sovrani flet, nuk ka më përzgjedhje personazhesh të “kompromentueshëm për kompromise”, por të bashkëpunosh me të zgjedhurit.

Përtej asaj që përfaqëson Lëvizja Vetëvendosja dhe veçanërisht Albin Kurti, kostumi i opozitarit dhe i qeveritarit janë të ndryshme. Sfida për Kurtin mbetet miksimi i të dyjave, që të shkojë në kompromise të madha në bisedimet me Serbinë, por pa lënë pas premtimet për të shkulur korrupsionin, oligarkinë dhe nepotizmin brenda vendit. Për të parën faktori ndërkombëtar është më i interesuar dhe lëvizjet kanë nisur furishëm, ndoshta për ti paraprirë një nisme për të imponuar dialog të vazhdueshëm mes “armiqve të përjetshëm”, por të dënuar për të bashkëjetuar mes Kosovës dhe Serbisë. Në një prononcim për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit uroi popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe bëri thirrje për vijimin e dialogut. “Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”.

Deri tani Kurti ka lënë të kuptohet se do ketë një tjetër qasje në politikën ndërkombëtare, veçanërisht me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai është shprehur se mund të heqë taksën 100 për qind për mallrat serbe, por ka këmbëngulur se do ketë reciprocitet me fqinjët problematik. Gjithashtu, Kosovës i nevojitet një shkundje thelbësore në politikën e jashtme, duke shtuar marrëdhëniet dypalëshe dhe të bindë vendet skeptike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, brenda vendit do i duhet të zgjidhë problemin e administratës së kapur dhe shpesh të mbushur nga paaftësia, të luftojë korrupsionin dhe të vërë në zbatim politika sociale të cilat do i jepnin një tjetër hop ekonomisë. Zgjedhjet në Kosovë ishin jo vetëm leksion për Shqipërinë, por edhe një lloj orientimi në distancë sesi duhet të sillen qytetarët për të larguar njëherë e mirë politikën e korruptuar dhe autoritariste.