Lë spitalin i pari shqiptar i shëruar nga koronavirusi

I shëruari i parë nga koronavirusi ka lënë këtë të shtunë spitalin infektiv të Tiranës, i kthyer në qendrën ku priten të gjithë të prekurit me covid-19.

Pamjet e largimit të 53 vjeçarit i ka publikuar kryeministri Rama. Babai i pacientit zero rezultoi negativ dhe në testin e dytë të kryer, duke u bërë zyrtarisht i shëruari i parë nga virusi që ka bllokuar të gjithë Shqipërinë në shtëpi.

“I SHËRUARI I PARË DEL NGA SPITALI PËR T’U MBYLLUR NË SHTËPI PA DALË FARE 14 DITË, NËN VËZHGIMIN E MJEKËVE FANTASTIKË TË INFEKTIVIT🙏”, shkruan Rama.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shkruan po në rrjetin social se babai i pacientit zero do të qëndrojnë në karantinë në banesën e tij për të paktën 14 ditë të tjera.“🔴#COVID-19 Pacienti i parë i shëruar sapo ka lënë spitalin Infektiv për t’u kthyer në shtëpi, ku do të qëndrojë për 14 ditë i vetëkarantinuar.

Mirënjohëse për punën e ekipit të #Infektivit që janë në ballë të betejës së vështirë me koronavirusin🙏🏼”, shkruan Manastirliu.

Kujtojmë se deri më tani janë të infektuar në total 76 persona, dy prej të cilëve kanë humbur jetën. Duke filluar nga kjo e shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës, qeveria ka vendosur të mos lejojë asnjë qytetar nëpër rrugët e qyteteve./Express

- Advertisement -

MË TË FUNDIT