Shefi i shtabit zgjedhor nga dega e LDK-së në Drenas, Rifat Billali ka treguar disa parregullsi që po ndodhin në qendra të ndryshme të votimit në këtë komunë. Ai ka kërkuar nga policia që t’i mbikëqyrin qendrat e votimit në Gradicë, Gllanasell dhe Komoran.
Bilalli tha që një vëzhgues i PDK-së është arrestuar nga policia për shkak që ka kërcënuar një anëtarë të KKZ-së nga LDK-ja.
Ai tha që në qendër të votimit në shkollën e mesme të ulët “Mehmet Gradica” në Gradicë është ndërprerë votimi për shkak të mungesës së komisionerëve, edhe pse ka komisionerë rezervë nga ana e LDK-së, raporton KP.
“Shtabi zgjedhor i LDK-së në Drenas në bazë të raporteve të vëzhguesve të vet në terren ka konstatuar këto parregullsi në qendrat e votimit. Si shtab zgjedhor kërkojmë nga policia të mbikëqyrë qendrat e votimit në Gradicë, Gllanasell dhe Komoran, ku ka lëvizje të madhe të njerëzve të paautorizuar. Rreth orës 14 një vëzhgues i PDK-së e ka kërcënuar Albion Nikën, anëtarë i KKZ nga LDK-ja dhe është arrestuar nga policia, kjo qendër që nga mëngjesi është manifestuar me parregullsi. Qendra e votimit në Gllanasell 0316 militantë të PDK-së janë tubuar në oborrin e qendrës së votimit, duke ju bërë presion votuesve për votim. Në qendrën e votimit në Likoshan 0312 E, krijohet tollovi nga militantët e PDK-së të cilët qëndrojnë para qendrës së votimit. Në orën 12:30 në vend votimin e shkollës së mesme të ulët ‘Mehmet Gradica’ në Gradicë 0305 E/02 është ndërprerë votimi për shkak të mungesës të komisionerëve”, tha ai.
Kurse, për qendrën e votimit në Komoran, ai thotë që lista e votuesve nuk ka qenë e kompletuar dhe që votimi ka filluar me vonesë.