Lazarat, vetëdorëzohet njeri nga të kërkuarit, 2 të tjerë pretendojnë se s’kanë qenë fare në fshat

Pak pasi policia ka bërë publike listën me 21 personat e dyshuar si pjesëtarë të grupit të zjarrit që qëlloi mbi efektivët e policisë, është vetëdorëzuar njëri nga personat e shpallur në kërkim. Elgent Basha 21 vjeç është dorëzuar në postbllokun e ngritur nga policia në hyrje të Lazaratit. 21-vjeçari ka pretenduar se nuk ka qenë pjesë e grupit të zjarrit që ka qëlluar mbi policinë. Ndërkohë 2 persona të tjerë, emrat i të cilëve gjithashtu rezultojnë në listën e 21 personave të shpallur në kërkim kanë pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen dhe se nuk ndodhen fare në Lazarat. Jeton Kalemi, 20 vjeç ka dalë publikisht në TV News 24, ku ka deklaruar se ai jeton në Tiranë me familjen e tij dhe s’ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Sipas Kalemit, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në listën e publikuar nga polica gjatë operacionit antikanabis të ndërmarrë në Lazarat 1 vit më parë, ku emri i tij gjithashtu rezultonte në listë dhe pas verifikimeve është sqaruar se ai s’kishte asnjë lidhje.

Po ashtu, një tjetër person emri i të cilit është pjesë e listës prej 21 personash, Xhemil Gjolleshi, ka bërë me dije për mediat se prej 3 ditësh ndodhet në Vlorë dhe nuk ka asnjë lidhje me sulmin ndaj policisë në Lazarat. Gjolleshi ka deklaruar se nuk njeh asnjë nga personat e listës së të kërkuarve të publikuar nga policia, ndërsa ka thënë se do të dorëzohet në komisariatin e policisë së Vlorës për të sqaruar gjithçka.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT