Partnerët rusë të shteteve perëndimore, duhet t’i kushtojnë vëmendje bombardimeve të ish Jugosllavisë, çështjes së Kosovës dhe shpërbërjes së Libisë, e jo vetëm Krimesë, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Sa i përket të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me Krimenë, ne do të donim që partnerët tanë perëndimorë të tregohen të zellshëm, pasi që ky (rasti i Krimesë) ka të bëjë me rastet e tjera që kanë ndodhur kohët e fundit të historisë moderne”, tha Lavrov.

“Kam në mendje Jugosllavinë, situatën me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës – pa referendum. Askush nuk e ngriti zërin dhe askush nuk pyeti pse ndodhi pa referendum”, tha Lavrov.

Sipas tij, Moska zyrtare “angazhohet “për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e saj”. Ndërsa, shton se “sulmet në Irak janë kryer me pretekste të shpikura, ndërsa në rastin e Libisë është keqpërdorur në mënyrë vulgare mandati i OKB-së”!