Ankesave të shumta të qytetarëve duket se së shpejti do t’ju vije fundi, pasi që nga Ministria e Infrastrukturës u bë e ditur se është nënshkru kontrata për sanimin e rrugës në Arllat të Drenasit.
Kjo rrugë në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit, është rrugë lidhëse për Malishevën, Rahovecin e Prizrenin me Prishtinën.
Dheu i shembur ka shkaktuar probleme për secilin që kalon kah kjo rrugë. Shoferët, shumica prej të cilëve kalojnë shpesh këndej, ankohen për dëmet që po ua sjell mjeteve të tyre.
E disa prej tyre bile propozojnë zgjidhje se si duhet të sanohet problemi me këtë rrugë.
Por, Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci mohon çfarëdo përgjegjësie mbi këtë rrugë. Sipas tij, kompetencat i ka Ministria e Infrastrukturës pasi ajo është rrugë regjionale.
E Ministria e Infrastrukturës në një përgjigje për televizionin ka thënë se për pak ditë do të fillojë sanimi i kësaj rruge. Sipas Ministrisë kontrata e mirëmbajtjes për atë rrugë ka kohë që është nënshkruar.
Kjo pjesë e fshatit, ka telashe pothuajse të përhershme sepse dheu nën rrugë shembet. Pos riparimeve sipërfaqësore, nuk është ndërhyrë asnjëherë në pjesën poshtë rrugës.