Lajm i jashtëzakonshëm për banorët e 5 fshatrave të Skenderajt

Lajm i jashtëzakonshëm për banorët e Rakinicës, Turiqecit, Rezallë së Re, Tushilës e Kopiliqit të Poshtëm

Sot ka përfunduar projekti i ndërtimit të ujësjellësit në 5 fshatra të komunës së Skenderajt: Rakinicë, Turiqec, Rezallë e Re, Tushilë dhe Kopiliq i Poshtëm.

Ne ceremoninë e përurimit të këtij projekti, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka uruar banorët e këtyre fshatra që nga sot do të kenë qasje ne ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit.

“Instalimi i ujësjellësit në këto 5 fshatra, në prag të festës së Fitër Bajramit Bajramit dhe në këtë kohë pandemie është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e këtyre fshatrave që me vite janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm”, vlerësoi Kryetari Jashari.

Ai tutje ka theksuar se përveç këtyre 5 fshatrave brenda 2 muajve do të përfundojnë punimet edhe ne 7 fshatra tjera për të përfunduar kështu projektin në tërësi.

“Furnizimi i këtyre fshatrave me ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit është mundësuar falë përkrahjes së Qeverisë Zvicerane e cila ka financuar ndërtimin e gypit kryesor të ujësjellësit dhe Qeverisë së Kosovës e cila ka financuar kyqjet individuale me 350 mijë euro”, ka deklaruar Jashari.

Ai në emër të qytetarëve të komunës që ai udhëheq ka falënderuar donatorët për financimin e këtij projekti, Qeverinë Zvicerane për financimin e gypit kryesor të ujësjellësit dhe Qeverinë e Kosovës për financimin e kyqjeve individuale.
Kryetari Jashari ka thënë po ashtu se këtë vit ka filluar edhe projekti tjetër i ujësjellësit për 10 fshatra tjera në Skenderaj.

Për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e komunës së Skenderajt sipas Jasharit jetike mbetet që të ndërtohet rezervari i ri ne Brus e po ashtu të fillojë së implementuari projekti i ndërtimit të pendës së Kuqices e cila do të sigurojë ujë të pijshëm edhe për komunat tjera.

Kryetari Jashari në fund, duke uruar banorët e këtyre fshatrave ka kërkuar nga ta që të kursejnë sa më shumë ujin dhe kështu të përdorin atë në mënyrë sa më racionale për të pasur furnizim më të mirë me ujë nga ky ujësjellës.

Nga ana tjetër në emër të banorëve foli kryetari i fshatit Rakinicë, Ismet Durmishi, i cili duke falënderuar kryetarin Jashari dhe donatorët për këtë projekt deklaroi se këtë mundem me e quajtë si çlirim të tretë, pasi u largu inkupatori serb, do të thotë atë vlerë e ka, është një gjë shumë e mirë për neve, është diçka që nuk mundem me përshkru rëndesinë e tij.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com