Në kohën kur flamuri i Kosovës po qëndron në vëmendje të krejt botës, në kokat e secilit vije momenti kur ai u zbulua në Kuvendin e Kosovës. E sidomos pati bërë përshtypje fakti se atë e kishte dizajnuar një ish-pjesëtar i UÇK-së.

Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit.

Autori kishte dhënë sqarimet e tij se përse e kishte zgjedhur këtë dizajn.

Ai kishte theksuar se ngjyra e kaltër në flamurin e Republikës së Kosovës paraqet aspiratat e popullit të Kosovës për të ecur përpara drejt institucioneve euroatlantike, gjashtë yjet paraqesin komunitetet e barabarta të cilat jetojnë në vend, ndërsa për ngjyrën e arit të paraqitur në hartë, ka thënë se e ka për zemër.

Asokohe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpalljes së pavarësisë, autorin e kishte pritur në takim.

“Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për dizajnimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.

Ndryshe, Kosova këtë të hënë shënon 12 vjet shtetësi, nderim të cilës i ka bërë sot edhe presidenti amerikan Donald Trump me një letër urimi./Reporteri.net