Kushtetuta imponon zgjedhje ose Qeveri nga LVV-ja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vetëm dy opsione para vetes, pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. I pari kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, e i dyti caktimin e një mandatari për formimin e Qeverisë së re, por i cili duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kurtit, meqë është parti fituese.

Neni 100 i Kushtetutës thotë se nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje, ndërkaq neni 82 saktëson se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë, shkruan KOHA.

Meqë kjo e fundit përbën dispozitë që i lë në mundësi kreut të shtetit të vendosë ose jo për zgjedhje dhe nisur nga fakti që në Kosovë është vënë edhe masë e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve shkaku i pandemisë që ka prekur 71 qytetarë dhe ka marrë një jetë, juristët kanë theksuar se opsion i vetëm mbetet formimi i një qeverie të re.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka treguar se në këtë rast aktivizohet neni 95.5 i Kushtetutës.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe shumica në Kuvend mandaton kandidatin e ri për të formuar Qeverinë”, thotë ky nen.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT