Kush është Enver Sekiraqa?

Gangster, i përfolur si kolaboracionist i regjimit të Millosheviqit, mbledhës i votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e simpatizant i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, haraçexhi… Janë vetëm disa nga “punët” që ia kanë përshkruar e disa prej të cilave edhe i ka pranuar në procese gjyqësore e intervista televizive. Lexo në Express profilin për Enver Sekiraqën, i dënuar me 37 vite burg si personi që qëndron prapa vrasjes së policit Triumf Riza dhe haraçit në dëm të këngëtares Adelina Ismajli, ish-dashnorja e policit Triumf Riza.

37 vite burg i janë shqiptuar Enver Sekiraqes të mërkurën. Ai u shpall fajtor për nxitje të vrasjes të policit Triumf Riza e për haraç ndaj këngëtares Adelina Ismaili, që kishte një lidhje dashurie me të vrarin Riza, raporton Gazeta Express.

Por, kush është Enver Sekiraqa, që pas rastit të Natali Velijajt që u dënua për mashtrim në rastin e tenderit për pasaporta biometrik, mund të jetë rasti i dytë i shqiptimit të dënimeve dukshëm të mëdha në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Gangster, i përfolur si kolaboracionist i regjimit të Millosheviqit, mbledhës i votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e simpatizant i ish-presidentit Ibrahim Rugova, haraçexhi… janë vetëm disa nga “punët” që ia kanë përshkruar e disa prej të cilave edhe i ka pranuar në procese gjyqësore e intervista televizive

Me një flet-arrestim që ishte lëshuar nga UNMIK-u në gusht 2007 në Interpol, Enver Sekiraqa, lindur më 18 nëntor 1973 në Prishtinë, i gjatë 183 cm, kërkohej me dyshimin se ka kryer veprat penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.

Emri i tij ishte ndër më të njohurit në regjionin e Prishtinës, por edhe me gjerë. Por, perandoria e tij e krimit me epiqendër tek lokali i tij “Sekiraqa” në lagjen Dardania, një lokal demode në katin e dytë të një ndërtese përballë përmendores së ish-presidentit amerikan, Bill Klinton në Kosovë dhe vetëm disa dhjetar-metra larg stacionit numër 4 të Policisë në kryeqytet, filloi të rrënohet pashmangshëm kur u vra polici i njësisë speciale, Triumf Riza.
Riza, një polic nga komuna e Kaçanikut i lindur në vitin 1979 u vra më 30 gusht të vitit 2007. Homazhe publike dhe një këngë nga Adelina Ismajli me titullin “Trimi im” janë disa nga kujtimet që kanë mbetur nga ai.

Por si kujtim për të është edhe një proces i gjatë e me shumë parregullsi nëpër gjykatat kosovare e me prokurorë ndërkombëtarë – i zhvilluar kundër një grupi policësh të akuzuar që për hakmarrje ndaj Enver Sekiraqës si dhe për ta vënë në vend drejtësinë në stil mafioz – bombarduan lokalin e Enver Sekiraqes- tash i dënuar për shtytje në vrasje që morri jetën e kolegut të tyre, Triumf Riza.

Historia e konfliktit daton mbi një dekadë më herët, diku në vitin 2005 kur në një kazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes Rizës dhe Enver Sekiraqës në “Swis Cassino”. Familjarë të Triumf Rizës kishin pretenduar që historia e përplasjeve Sekiraqa-Riza mund të jetë edhe më e hershme, që nga viti 2000.

“Atëherë Sekiraqa ka tentuar që ta aktivizojë bombën për ta vrarë Triumfin së bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para shkollës së mjekësisë në Prishtinë ku Sekiraqa, së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, i ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t’i marrë me dhunë tri vajza. Mirëpo aty ka ndërhyrë edhe KFOR-i dhe e kanë arrestuar Sekiraqën”, pati deklaruar babai i Triumf Rizës, Shefqeti.

Edhe kabllogramet diplomatike të publikuara nga Wikileaks në vitin 2011 që i referohen zhvillimeve të vitit 2007 e përshkruajnë Sekiraqën si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm. Ai është i dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës.

“Nuk kam pasur kurrfarë afërsie me askënd brenda LDK-së. Asnjëherë nuk jam takuar me Presidentin Rugova, përveç që e kam parë në fjalime, ndërsa me Ukë Rugovën jam takuar një herë”, pati deklaruar në një intervistë të dedikuar për RTK’në ,por që nuk u publikua aty Enver Sekiraqa derisa sqaronte se sa i afërt ishte me partinë e Rugovës.

“Unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në edhe i kam ndihmuar LDK-së të fitojë se kam menduar se është më e mira”, pati thënë Sekiraqa në këtë intervistë.

Një nga njerëzit më aktiv të LDK’së në Prishtinë, ish-kryetari Ismet Beqiri sot ende aktiv në politikë si deputet nuk  e pati mohuar njohjen me Sekirqën pasi që vinin nga e njëjta lagje- “Kodra e Trimave” derisa atë e pati zbritur vetëm në gradën e simpatizantit të partisë.

“Nga deklaratat e tij del që ka qenë simpatizant dhe mbështetës i LDK-së, mirëpo kjo nuk mund të prejudikojë asgjë”, thoshte në vitin 2012 Beqiri.

E Sekiraqën e afronte me LDK’në armiqësia e tij me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që doli nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Kjo e fundit e kishte burgosur gjatë luftës Sekiraqën nën dyshimin se ai ishte bashkëpunëtor i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, por vetë Sekiraqa pretendon se UÇK‘ja po e torturonte për një arsye tjetër.

“ZOLL-i (Zona Operative e Llapit), me në krye komandant Remin, më pati kërkuar. Për këtë më kishte çuar fjalë Ilmi Rakovica. Unë vullnetarisht kam shkuar. Së pari jam takuar me Nuredin Ibishin – komandant Lekën. Aty më treguan që mua po më kërkon Latif Gashi – Lata. Gjatë marrjes në pyetje, m’i kanë kërkuar 600 mijë marka. Kanë menduar që kam shumë pare. Nuk e di pse i kërkuan ato të holla, nuk më dhanë shpjegim. Unë u thashë që nuk i kam”, rrëfente vite më parë Sekiraqa.

Por, si në filma me gangsterë, gangsteri i kryeqytetit, Enver Sekiraqa i iku nga duart edhe UÇK ‘së edhe njësiteve të drejtuar nga Rrustem Mustafa e Latif Gashi- të dy të dënuar për krime lufte e i fundit më vonë një nga drejtorët e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) të Kadri Veselit.

“Ka qenë një gardh afër, e kam kapërcyer. Më kanë gjuajtur me automat, por fati, nuk më ka kapë asnjë plumb. Prej aty kam bërë gjashtë orë me dalë në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë dhe kam arritur të vijë në shtëpi, në Prishtinë”, rrëfen arratisjen nga kampet e ndalimit të UCK’së Enver Sekiraqa.

Jo vetëm njerëzit, por edhe vdekja duket se kishte frikë nga Enver Sekiraqa. Që nga kthimi prej burgut në tetor 1999 Sekiraqa tha se janë bërë diku 10 atentate. “Nuk e di nga kush. I kam 6-7 plagë të plumbave nëpër trup”, rrëfente në një intervistë të gjatë dhënë “Jetës në Kosovë” Sekiraqa.

Jeta prej gangsteri e kishte bërë Enver Sekiraqën që të sillej si një “Kazanova”. Sekiraqa gjatë procesit gjyqësor kundër tij e ne sqarimet rreth një incidenti- rrahjen nga viti 2006 në Ferizaj thoshte se kishte pasur shumë femra, por njëra nga to, A.A. e cila e quante Sekiraqën “Tom Cruise” e që më vonë e akuzonte atë për kanosje, ishte dhunuar afër liqenit të Batllavës.

Raportet me femra i kishte të vrazhda, dhe këtë e thonë edhe komunikimet e tij. ““Ti duhesh me u taku gjithqysh me mua se përndryshe kam me të ardhë te shtëpia dhe kam me ta shkyer p…, kam me ta çarë krejt” i kanosej Sekiraqa vajzës A.A. që e përshkruante si femrën e tij, e që më vonë edhe deponoi një deklaratë që qe përdhunuar në Batllavë, por jo nga Enver Sekiraqa.

Përtej këtyre episodeve, Enver Sekiraqa e mbante vetën si një biznesmen. Lokali i tij ishte i regjistruar si biznes i lojërave bixhozit, derisa në një intervistë të vitit 2004 ai ka thënë se merret edhe me shitblerje të tokës.

Është përfolur shumë se acarimi mes Rizës e Sekiraqës kishte si burim këngëtaren e njohur Adelina Ismajlin, e cila pati konfirmuar se ishte në lidhje me policin e ndjerë, por Enver Sekiraqa me viktimën e tij, këngëtaren Ismajli që sipas Prokurorisë  Enver Sekiraqa i merrte haraç, ka një version krejt tjetër se si është njohur- thoshte se i lidhte politika.

“Me Adelinën, kemi qenë në një parti, kemi pasur edhe shoqëri … asgjë më tepër…Me Triumf Rizën, nuk më kujtohet kur jam pa për herë të parë. Mirëpo më kujtohet kur kam pasur problem me të për herë të parë. Në vitin 2005, në Swiss Casino, ka qenë festë e Krishtlindjes. Unë së bashku me disa shokë e shoqe kemi shkuar të pimë. Aty ka ardhur Triumfi me shokë edhe na kanë sulmuar”, rrëfente në publik Sekiraqa.

“Mua, në atë rast, më kanë rrahur shumë keq. Nuk e di as vetë pse na kanë sulmuar. Me siguri kanë pas urdhër prej shefave të tyre. Ka pasur edhe të shtëna armësh, është plagosur Agron Bytyqi, një shoku im dhe Arben Selmani që ka qenë me Triumfin”- kishte thënë Sekiraqa.

Derisa Sekiraqa nuk e dinte se pse nisi sherri mes tij e policit Triumf Riza, një trup gjykatësish i përbërë nga dy gjyqtarë te EULEX’it dhe një vendor të mërkurën ka vulosur se prapa vrasjes së policit Triumf Riza qëndron Enver Sekiraqa, përkatësisht ai u dënua me 37 vite burg për veprat penale nxitja për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për veprën penale te detyrimit.

Ndërsa në piken e tretë të aktakuzës, mbi dyshimet për dhunim, Enver Sekiraqa është shpallur i pafajshëm nga trupi gjykues i përberë nga dy gjyqtarë te EULEX’it dhe një vendor, raporton Gazeta Express.

Ai tashmë i ka kaluar dy vite e 4 muaj në paraburgim derisa trupi gjykues ka vendosur që paraburgimi t’i vazhdohet derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

/Gazeta Express/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT