Kurti: Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook, tha se mbrëmë populli vendosi që këtij ndryshimi t’i prijë Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka shprehur falënderime ndaj atyre që kanë kryer detyrën dhe obligimin e qytetarit dhe njëkohësisht ata që ndërhynë në skenën politike në mënyrë që drama e shtetit të mos ketë fund tragjik.

“Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se punët e vështira vetëm se shtojnë vullnetin e tij.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në ç1astet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!

Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT