Kurti pritet ta propozojë vajzën e Jusuf Gërvallës për kryediplomate

Donika Gërvalla Schwarz, e bija e veprimtarit Jusuf Gërvalla që tashmë iu është bashkuar Vjosa Osmanit në ‘Listën GUXO’, pritet që të jetë e propozuara e Albin Kurtit për të udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme, merr vesh Express.

Java e ardhshme do të jetë javë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Të hënën pritet që, pos konstituimit të Kuvendit, të votohet edhe qeveria e re.

Ndërkaq gjatë javës është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin.

Deri më tani, disa persona dihet se do të emërohen në krye të dikastereve qeveritare. Ballkani.info ka publikuar sot emrat e disa personave që pritet të propozohen në seancën e së hënës.

Njëri emër që po përfolët në krye të diplomacisë kosovare është Donika Gërvalla.

Ish-zyrtarja e LDK-së në Gjermani, që në zgjedhjet e fundit ka garuar në Listën “GUXO” të Vjosa Osmanit është radhitur në mesin e më të votuarave në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke siguruar një ulëse në Kuvend të Kosovës.

Express ka kontaktuar Gërvallën për të pyetur nëse një informacion i tillë është i vërtetë, megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmit e njëjta nuk përgjigjur.

Përgjigje për këtë çështje nuk kanë dhënë as në partinë e Vjosa Osmanit që kanë thënë se nuk ka ende diçka përfundimtare për çështjen e personave që do të propozohen ministra.

Donika Gërvalla ishte pjesë e LDK-së nga viti 1991. Në vitin 2015 ajo ishte emëruar kryetare e LDK-së në Gjermani.

Pas disa përplasjeve me LDK-në, Gërvalla në vitin 2018-të ishte larguar përfundimisht nga ky subjekt.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT