Takimi i fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, pritej të rezultonte me arritje të marrëveshjes mes dy partive për bashkëqeverisje. Por se një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi palët nuk u morën vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Ndonëse një takim i ri ende nuk është caktuar, pasi Kurti gjendet në Berlin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është bërë e ditur se po presin thirrje nga VV-ja për takimin e radhës.Zyrtari për media nga VV-ja, Arlind Manxhuka, ka thënë se Kurti e Mustafa janë në kontakt të vazhdueshëm.

“Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti momentalisht është jashtë vendit, por ai mban komunikim me kryetarin Mustafa dhe sa jemi ne dijeni Kurti i ka shkruar së fundi kryetarit të LDK-së”, ka thënë ai.E një gjë e tillë nuk është mohuar as nga Lidhja Demokratike e Kosovës.Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë për Koha.net se po sa Kurti të kthehet nga Berlini dhe momentin që do t’ua lejojë agjenda të dyja palëve, do të mbahet takimi i radhës.

“Kurti dhe Mustafa janë në komunikim të vazhdueshëm, meqenëse Kurti është në Berlin, atëherë takimi mes tyre njëherë nuk është i mundur. Po sa të kthehet dhe po sa t’ua lejon agjenda të dy kryetarëve, ata do të takohen”, ka thënë Mustafa.