Kryeministri Albin Kurti sot e ka emëruar zëvendësministër të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Agon Dobrunën i cili vite më parë ka qenë sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjakovë.

Por në vitin 2019, ai iu kishe bashkangjitur partisë së Mimoza Kusari – Lilës, Alterativa.

E në një reagim të disa viteve më parë VV e Albin Kurtit  e akuzonte Partinë Demokratike të Kosovës për punësimin e Dobrunës në bordin e ndërmarrjes “Çabrati” në Gjakovë.

Ky reagim i LVV-së është fshirë nga ëeb-faqja e këtij subjekti politik, por ka mbetur një përshkrim i shkurtër i tij në faqen e partisë së Albin Kurtit në Facebook.

“Në bordin e ndërmarrjes “Ngrohtorja e Qytetit”, dy nga katër të përzgjedhurit janë partiakë. Malush Tullumi, si aktivist dhe ish kandidat për deputet nga LDK, dhe Ndue Nikaj, i cili është babai i ish ministrit Bernard Nikaj nga AKR. Edhe në bordin e ndërmarrjes “Çabrati”, dy nga katër të përzgjedhurit janë partiakë. Agon Dobruna, i cili tash e sa kohë është sekretar i degës së PDK-së në Gjakovë, dhe Ardita Rizvanolli, e cila është anëtare dhe ish kandidate për deputete nga LDK”, shkruante LVV.

Por sot, shtatë vjet pas, Kurti e ka emëruar Dobrunën zëvendëskryeministër, duke i uruar suksese në kryerjen e detyrave të reja.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar dy zëvendësministra, të cilëve u ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre. Zëvendësministrat e emëruar janë: Znj. Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Z. Agon Dobruna, zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.