Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të thirrur pas mbledhjes urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të numrit enorm të vdekjeve si shkak i koronavirusit, ka thënë se do të punësojë edhe 85 inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe do zgjasë orarin e policisë nga 8 në 12 orë.

Kurti ka thënë se do të jenë të pakompromis në zbatimin e masave për parandalimin e transmetimit të koronavirusi.
“Ne do të bëjmë gjashtëfishimit e inspektorëve të AUV-it, atyre 17 sa janë do t’ia shtojmë edhe 85 të tjerë. Merreni me mend, e kemi AUV-in, siç e kemi gjetur me 17 inspektorë gjithsej, që i bie as gjysmë inspektori për komunë. Orari i punës së policisë bëhet tash e tutje me ndërrime 12 orëshe, në vend të 8-orëshe”, ka thënë ai.

“Do të ketë zbatim të pakompromis të masave, inspektorët dhe policia hyjnë në fazë të re. Ne do të themelojmë Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me Covid-19”, ka shtuar tutje kryeminsitri.