Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë në gjuhën angleze për “Al Jazeera”-n. Në këtë intervistë vërehen qartazi gabimet elementare shqiptimore e morfologjike të Kurtit, ndonëse idiolekti i tij në anglishte nuk karakterizohet me fjalë a shprehje të ndërlikuara fonetike e as me leksik të pasur.

Kurti e fillon intervistën me gabime që në fjalinë e parë. Nuk e formon si duhet kohën foljore “present perfect”, e cila në gjuhën shqipe përkon me kohën e kryer. Në vend se të thotë “it has effected…”, thotë “it has effect…”.

Në fjalinë e dytë, ai nuk i shqipton drejt numrat 1998 e 1999. Nuk vërehet fare dallimi në shqiptim mes numrit nëntëmbëdhjetë (nineteen) dhe numrit nëntëdhjetë e nëntë (ninety-nine). Te numri nëntëmbëdhjetë në gjuhën angleze, rrokja e dytë ndërtohet me “i” të gjatë ose të hapur (e shkruar si “i:” me sistemin e simboleve të shqiptimit), ndërsa rrokja e dytë në numrin nëntëdhjetë (ninety) ndërtohet me “i” të shkurtër (e shkruar si “ɪ” me sistemin e simboleve të shqiptimit). Kurti e shqipton numrin nëntëmbëdhjetë (nineteen) si të ishte nëntëdhjetë (ninety).

Pak më vonë, Kurti e shqipton gabimisht foljen “ended” (“përfundoi”), duke e shqiptuar fjalën pothuajse ashtu siç shkruhet. Kjo fjalë shqiptohet {endɪd}, jo {endəd}.

Më tutje, Kurti e shqiptoi gabimisht një ndër fjalët më të thjeshta dhe më të përdorura në gjuhën angleze – “with”. E shqiptoi ashtu siç shkruhet, me “th” në fund, por ajo shqiptohet {wɪð}, me bashkëtingëlloren “dh” në fund.

Kurti nuk e shqipton saktësisht as fjalën “pandemic” (“pandemi”), duke e shqiptuar {pandemik} e jo { pænˈdem.ɪk},

Gabimi i radhës drejtshqiptimor vërehet te folja “bringing”, të cilën shefi i Qeverisë së Republikës së Kosovës e shqipton me “k” në mes. Shqiptimi i duhur i kësaj fjale është ” brɪŋ”.

Më pas, Kurti bën një gabim të thjeshtë morfologjik, duke e shqiptuar në njëjës fjalën “priority” (“prioritet”) në togfjalëshin “top 3 priorities” (“3 prioritetet kryesore”).

Kthehemi te gabimet shqiptimore. Kurti nuk e shqipton saktësisht as fjalën “democratic” (“demokratik/e”), duke e shqiptuar me “a” rrokjen e tretë të fjalës, ndonëse duhet të shqiptohet si {æ}, pra {dem.əˈkræt.ɪk}.

Pak më tutje, Kurti e shqipton me “rr” fjalën “territory”. Tingulli “rr” nuk ekziston në gjuhën angleze dhe zakonisht shqiptohet “r”.

Kurti gabon edhe gjatë shqiptimit të emrit të një shteti – “Russian Federation” (“Federata Ruse”). Në vend se të thotë {ˈrʌʃ.ən}, fjalës ia shton edhe një “i” – { /ˈrʌʃɪən}.

Në mënyrë të pasaktë politikani më i votuar në vend shqipton edhe një fjalë tjetër të lehtë, me vetëm dy rrokje, fjalë që përdoret shpesh në komunikimin e përditshëm, sidomos në zhargonin politik – “crisis” (“krizë”). Në vend se ta shqiptojë {kraɪ.sɪs}, e shqipton {kraɪ.zɪs}, pra, me {z} në mes.

Kryeministri nuk e shqipton si duhet as njërën ndër fjalët më të thjeshta e më të shpeshta në gjuhën angleze – “of”. E shqipton ashtu siç shkruhet, {of}, por do të duhej ta shqiptonte {əv} ose {ɒv}.

Në mënyrë të gabuar e shqipton edhe fjalën “Afghan”. Në vend se të thotë {æf.ɡæn}, shqipton diçka të ngjashme si mbiemri në shqip, afgan, por Kurti e shqipton me “v”, “avgan”, ndonëse ishte duke folur anglisht.

Thotë edhe “I don’t THING” në vend të “I don’t THINK”. (“Nuk mendoj…”). Fjalët e shkruara me shkronja të mëdha kanë kuptime krejtësisht të ndryshme me njëra-tjetrën në gjuhën angleze.

Përpos gabimeve shqiptimore, Kurti ka bërë disa herë gjatë intervistës edhe gabime morfologjike, më së shpeshti duke mos i përdorur nyjat e shquara dhe të pashquara “the” e “a/an” si dhe duke mos e përdorur përemrin “it” aty ku duhet ose duke e përdorur atë aty ku nuk duhet./Gazeta Express

Intervistën e Kurtit në gjuhën angleze mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.