Kurti: Adem Demaçi i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së, ai nuk trembej, se punonte me drejtësi

Ish-kryeminstri, Albin Kurti ka kujtuar Adem Demaçin në 22 vjetorin e marrjes së detyrës së përfaqësuesit politik të UÇK-së.

Kurti tha se ai i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së, shkruan Indeksonline.

Me mish e me shpirt Adem Demaçi punoi, hapi zyrën në Prishtinë pa u trembur nga okupatorët mizor, dhe nuk u ndal as në ditën më të zezë. Ai nuk trembej, se punonte me drejtësi”, tha Kurti.

Postimi i plotë:

22 vite më parë Adem Demaçi mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së.

Idealisti i moçëm, i cili kishte kaluar tre dekada në burgjet e pushtuesve të kombit të tij, u bashkua me idealistët e rinj, që kishin nisur luftën e armatosur për çlirim. Ideali ishte i njëjti, ai i bashkimit të shqiptarëve, jo për të dalë mbi të tjerët, por për t’u bërë të barabartë me ta. Jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për inat, por për t’i hapur rrugë bashkëpunimit mes popujve fqinjë. Nuk ka paqe e zhvillim të Ballkanit nëse popujt nuk ia njohin lirinë e barazinë njëri-tjetrit.

Adem Demaçi i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së. Ai ishte i vlerësuar me çmimin prestigjioz evropian Sakharov, dhe ishte fytyra e gjallë politike e padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve. Ndërsa UÇK-ja i dha Adem Demaçit substancë. Ajo ishte realizim i vonë i përpjekjes së tij të kahershme.

Me mish e me shpirt Adem Demaçi punoi, hapi zyrën në Prishtinë pa u trembur nga okupatorët mizor, dhe nuk u ndal as në ditën më të zezë. Ai nuk trembej, se punonte me drejtësi.

Do t’i kujtoj gjithnjë si të pandarë bacën Adem dhe UÇK-në, sepse përpjekja e popullit tonë për liri, qoftë në ilegalen para luftës apo me armë në dorë gjatë luftës, janë frymëzim për një politikë që nuk shitet e nuk blihet, që nuk koritet e çnderohet, as sot e as nesër. Por që punon pa u ndalur, me vetësakrifikim, për realizimin e projekteve e premtimeve, për avancimin tonë kolektiv, për drejtësinë e lirinë, zhvillimin e paqen.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT