Qytetarët ankohen se në mungesë të ndriçimit në bulevardin “Kurrizi”, të rinjtë po përdorin substanca narkotike, raporton T7
Ndonëse nuk mund të vërehet, kjo është pjesa e quajtur “Te Posta e Madhe” në lagjen “Dardania” të Prishtinës, natën.
Nëse iu rastit të kaloni nëpër këtë lagje, në orët e mbrëmjes do të përjetoni errësirë totale, ndonëse kjo pjesë mund të llogaritet si qendër e kryeqytetit.
Mungesa e ndriçimit këtu po rrezikon jetën e qytetarëve, pasi dritat mungojnë edhe në pjesën e shkallëve të postës, edhe ashtu të shkatërruara.
Ata thonë se kjo hapësirë e pandriçuar është bërë strehë e të rinjve që përdorin edhe substanca narkotike.
Ndërkohë pronaret e objekteve po detyrohen t’i ndriçojnë vet bizneset e tyre.
Errësira vazhdon përgjatë tërë “Kurrizit” deri tek sheshi “Bill Clinton”.
Punimet në bulevardin “Kurrizi” kanë nisur katër vite më parë, por nuk kanë përfunduar asnjëherë.
Sipas qytetarëve, ky projekt afro 1 milionësh po zvarritet nga Komuna.
Ata akuzojnë kryetarin Shpend Ahmeti se u ka kërkuar votën e tyre, por nuk po i mban premtimet.
Projekti u nis për të përfunduar brenda 180 ditëve, por nuk ka përfunduar edhe pas 4 viteve, e si rrjedhojë kjo pjesë vazhdon të mbetet në errësirë.
Ndërkohë edhe përkundër insistimit të T7 për disa ditë me radhë, nuk ka qenë e mundur të marrë përgjigje nga komuna për këtë çështje.