Kolona të veturave të mbushura me armenë janë parë në rrugët e Nagorno-Karabakut. Këta njerëz po nisen drejt kryeqytetit armen, Yerevan, për shkak se një korridor që më parë kontrollohej nga Armenia tani e tutje do të jetë në pjesën e Azerbajxhanit.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Shumica e njerëzve të intervistuar nga Radio “Evropa e Lirë” thanë se po largohen nga Nagorno-Karabaku dhe po shkojnë në Armeni, transmeton Gazeta Express.

Një kamion i ngarkuar me plaçka, i nisur drejt Armenisë

Ata u shprehën të zhgënjyer me marrëveshjen e paqes që u ndërmjetësua nga Rusia, por disa prej tyre shpresojnë që Armenia përsëri do ta kthejë kontrollin territorial ku ishin duke jetuar para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që në Azerbajxhan është festuar si fitore.

Një burrë armen që po largohet nga Nagorno-Karabaku

“Tani që Kelbajari dhe të gjitha distriktet tjera i janë dhënë (Azerbajxhanit), ne do të mbesim në bllokadën e njëjtë (si para vitit 1992). Do të na dhurohet një rrugë e ngushtë, por askush nuk e di sa do të jetë e sigurt. Nuk ka kuptim që të vazhdohet jeta këtu. Këtu nuk ka të ardhme”, tha një burrë që e kishte mbushur veturën me plaçka.

Një armene etnike duke u larguar nga Nagorno-Karabaku bashkë me burrin

Një grua, që po largohej me veturë bashkë me burrin, e pyetur se a kanë vendosur të zhvendosen, tha: “Nuk është vendimi ynë. Na kanë detyruar të zhvendosemi”, duke shtuar se vendbanimi i tyre është vendosur nën kontrollin e Azerbajxhanit.

Në orët e para të së martës, pak pas mesnatës, kryeministri armen, Nikol Pashinyan, njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë dhe Azerbajxhanin për ndërprerjen e luftimeve në Nagorno-Karabak.

Kjo marrëveshje erdhi pasi mbi 1.200 ushtarë armenë u vranë nga Azerbajxhani, kryesisht përmes sulmeve me dronë luftarakë ndaj makinerisë së rëndë. Pas këtij njoftimi, në Armeni shpërthyen protestat, sepse marrëveshja parasheh që Azerbajxhani t’i mbajë territoret e fituara gjatë luftimeve që nisën me 27 shtator.