Qeveria e Kosovës më 25 gusht të këtij viti në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike ka ndarë 7 milionë euro për gratë lehona dhe shtesat e fëmijëve.

E, nga kjo pako është paraparë të përfitojnë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, si dhe gratë lehona të punësuara si dhe ato të papunësuara, shkruan Front Online.

Por, nga Qeveria nuk kanë treguar se kur do të fillojë implementimi i kësaj mase e cila hyn në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Lidhur me këtë Front Online, ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Nga ky dikaster kanë bërë me dije se janë në fazën përfundimtare të operacionalizimit të kësaj mase.

“Sa i përket ndarjes së mjeteve për pagesën e grave lehona, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është në fazën përfundimtare të operacionalizimit të kësaj mase të Pakos së Ringjalljes Ekonomike” thuhet në përgjigjen e MF-së për FrontOnline.

Të pyetur se kur do të fillojnë qytetarët e Kosovës të aplikojnë për këtë masë nga kjo ministri kanë thënë se së shpejti do t’i bëjnë publike kushtet dhe kriteret e aplikimit.

“ Kushtet dhe kriteret do të ndahen me publikun së shpejti, duke përfshirë detajet për të cilat keni pyetur”, thuhet në përgjigjen e MF-së për FrontOnline.

“Në programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, në pikën 2.1.2 Mbrojtja sociale, parashihet skema për shtesat e fëmijëve, ku fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj”, thuhet në programin Qeverisë.

Në ditën kur kryeministri Albin Kurti më 17 maj kishte prezantuar programin qeverisës kishte folur pikërisht edhe për këtë çështje.

Ai kishte thënë se fëmijët nën moshën dy vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore prej 20 euro në muaj, ndërsa për gjashtë muaj të pushimit të lehonisë nënat do t’i marrin nga 250 euro./FrontOnline