Kupa e Amerikës, 4 trajnerë argjentinas në garë për trofeun

Pas eliminimit të Brazilit në cerekfinale tashmë përcaktohen përfundimisht katër skuadrat që do të kenë privilegjin për të rivalizuar ndërmjet tyre për fitimin e edicionit të 44 të Kupës së Amerikës.

Një gjë është e sigurtë, sido që të rrjedhin ngjarjet në fund të edicionit të sivjetshëm do të jetë një trajner argjentinas që do të fitojë trofeun më të lakmuar të Amerikës së Jugut, në rang ekipor. Jorge Sampaoli, Ricardo Gareca, Gerardo Martino dhe Ramon Diaz kanë një të përbashkët pasi që të katërt janë argjentinas dhe janë kandidatë për të fituar titullin me përfaqësueset e tyre. Sampaoli si trajner i vendit organizator do të përballet në Santiago të hënën në mbrëmje në gjysmëfinalen e parë me Gareca-n që drejton  përfaqësuesen e Perusë, ndërsa një ditë më pas në Concepcion në takimin tjetër trajneri i albiceleste-s Gerardo Martino do të provojë të mundë argjentinasin tjetër Ramon Diaz që udhëheq kombëtaren e Paraguajit prej vetëm shtatë ndeshjesh.

Në fakt sa për kuriozitet gjysma e trajnerëve të skuadrave përfaqësuese pjesëmarrëse në Kili, pra 6 nga 12 gjithsej kanë kombësi argjentinase, pasi Jose Pekerman bashkë me Kolumbinë u eliminuan në cerekfinale pikërisht nga Messi me shokë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkaq edhe trajneri i Ekuadorit Gustavo Quinteros pavarësisht nënshtetësisë boliviane ka lindur në Santa Fe. Nëse në fund të edicionit të 44 nuk do të fitojnë bardhekaltërit të paktën një detaj i tillë pra mund të shërbejë sadopak si ngushëllim për Argjentinën që nuk e fiton Kupën e Amerikës, që nga viti i largët 1993. Pikërisht 22 vjet më parë në Ekuador figuron edhe trajneri i fundit argjentinas që e ka fituar këtë trofe, Alfio Basile i cili me emra të tillë si Batistuta, Redondo apo Simeone mundi Meksikën në finale gjithsesi interesant është fakti se edicioni i ardhshëm do të jetë ai i 100 vjetorit dhe do të jetë i pari kampionat që mbahet jashtë Amerikës së Jugut, më saktë në Shtetet e Bashkuara ku do të marrin pjesë 16 skuadra nga dy konfederata, 10 ekipet e Conmebol si dhe 6 nga Concacaf, bashkimi i federatave të Amerikës së Veriut, Qendrore si dhe Zonës së Karaibeve./SS/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT