Që nga koha kur është shfaqur pandemia Covid-19, Komuna e Skenderajt, në krye me Kryetarin Jashari ka shprehur gatishmëri të plotë, për tu dalë në ndihmë familjeve nevojtare.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave pasi kanë bërë përzgjedhjen e familjeve, kanë filluar me shpërndarjen e pakove ushqimore për 1000 familje në nevojë në Komunën e Skenderajt.

Kryetari i komunës, Bekim Jashari, bëri të ditur se kjo përkrahje vjen për t’iu dalë në ndihmë sado pak familjeve në asistencë sociale si dhe atyre që kanë mbetur pa të ardhura si pasojë e pandemisë globale Covid- 19.

Shpërndarja e këtyre pakove po bëhet sipas listave të familjeve që janë përzgjedhur nga kryetarët e fshatrave të komunës.

Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim ku pakot do të shpërndahen shtëpi për shtëpi, pa pasur nevojë që qytetarët të vijnë në komunë.

“Kjo është hera e tretë brenda këtij viti që komuna jonë po përkrah familjet në nevojë. Dy herë brenda këtij viti komuna jonë ka përkrahur 5 mijë familje me pako ushqimore-higjienike, kurse tani në fund vit po përkrahim 1000 familje nevojtare”, u shpreh Jashari.

Jashari tha se përveç këtyre 1000 familjeve, falë ndihmës së donatorëve do të shpërndahen pako ushqimore edhe për familje tjera nevojtare.