Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot, në një takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou, me të cilën bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe për fushat që i mbulon MKRS-ja, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Shala e uroi ambasadoren për krijimin e qeverisë së re greke. Ai theksoi se mbetet i përkushtuar për të avancuar raportet mes dy vendeve, duke e falënderuar edhe për mbështetjen e shtetit grek për nismat rajonale dhe evropiane të Kosovës. Shala ka diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë, në shkëmbim të përvojave në aktivitete e projekte të përbashkëta në sajë të ndërtimit të politikave të mirëfillta dhe komunikimit sa më direkt mes dy vendeve.
Ndërkaq, ambasadorja greke Konstantina Athanassiadou tha se shteti i saj e mbështet rrugëtimin evropian që ka zgjedhur Kosova dhe se është për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e mirëbesimit dhe raporteve sa më të mira e të qëndrueshme me Kosovën. Po ashtu, ambasadorja shprehu gatishmërinë për të mbështetur projekte konkrete që ndërlidhen me kulturën e trashëgiminë si dhe ofroi kontributin e saj direkt për ndihmuar në fushat që mbulon MKRS-ja.