Ministri i Kulturës, Kujtim Shala ka favorizuar botuesin e vet, Avdullah Zenelin në projektet kulturore. Zeneli që ia ka botuar librat Shalës, përmes shtëpisë botuese BUZUKU, ka marrë sivjet në kuadër të Shoqatës se Botuesve të Kosovës 20 mijë euro. Vitin e kaluar kishte kjo shoqatë 15 mijë euro.
E ky favorizim iu ka kushtuar rënd Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës dhe festivaleve tradicionale të muzikës klasike dhe festivaleve të filmit. Në projektet kulturore që janë ndarë për këtë vit, e që Express i ka krahasuar edhe me ato të vitit të kaluar, listen e të cilave e posedon, vërehet një zbritje drastike e buxhetit për disa ngjarje tradicionale kulturore.
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës sivjet ka marrë vetëm 2 mijë euro buxhet për dallim nga 10 mijë sa kishte vitin e kaluar.
Chopin Piano Fest, një festival i muzikës klasike që organizohet nga Besa Luzha është mbështetur më vetëm 2 mijë euro për dallim nga viti i kaluar që ishte mbështetur me 9 mijë euro.
Njëjtë e ka pësuar edhe Rafet Rudi me festivalin Remusica që vitin e kaluar u mbështetë me 9 mijë euro e sivjet me vetëm 4 mijë euro. Edhe Festivali Dam Fest u mbështetë shumë më pak duke marrë vetëm 2500 euro nga 5000 sa kishte vitin e kaluar.
Një zbritje shumë e madhe në mbështetje është bërë edhe të dy festivale tradicionale e më shumë nam në Kosovë, PrifFilmFest dhe Skena UP. E para vitin e kaluar kishte rreth 20 mijë euro e sivjet ka vetëm 5 mijë euro. Skena UP sivjet ka marrë vetëm 4 mijë euro për dallim nga viti i kaluar që kishte 15 mijë euro. Rritje në buxhet ka marrë vetëm Dokufest dhe kjo ka ardhë vetëm pas presioneve nga presidenca dhe ndërkombëtarët. Kujtim Shala kishte planifikuar t’ua japë vetëm 10 mijë euro e ndërkaq pas presioneve, sipas burimeve të sigurta ua ka ndarë 25 mijë euro. Vitin e kaluar Dokufest kishte 20 mijë euro.