Kujdes punoni se po ju vëzhgojnë!

Sportistët kosovarë duhet t’i arsyetojnë paratë që i marrin nga bursat olimpike. Komiteti Olimpik i Kosovës do t’i vëzhgojë dhe do ta kontrollojë vazhdimisht punën që do ta bëjnë 15 bursistët kosovarë. Shuma prej 500 dollarësh në muaj mund t’i ndërpritet secilit bursist që nuk shënon progres sportiv për Lojërat Olimpike

15 sportistë kosovarë para pak javësh fituan bursa olimpike, nga të cilat do t’i përfitojnë nga 500 dollarë në muaj, për t’u përgatitur sa më mirë për Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Mirëpo, për këto para, të dhuruara nga Solidariteti Olimpik, i ndihmuar nga Kuvendet Komunale të Kosovës, këta sportistë do të japin llogari dhe do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm, se ku i shpenzojnë ato dhe se a kanë progres në performancat e tyre.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, thotë se institucioni që ai e drejton, është duke e përgatitur një draft, pas së cilit, KOK-u do t’i autorizojë njerëzit e tij që ta kontrollojnë fije për pe zhvillimin dhe avancimin e sportistëve. Gjithashtu, me gjendjen e tyre do të jetë i informuar rregullisht edhe Solidariteti Olimpik.

“Jemi duke punuar në këtë drejtim. Do t’i kontrollojmë sportistët, do ta shikojmë punën e tyre, zhvillimin dhe progresin që do ta bëjnë në këtë periudhë. Gjithashtu, edhe Solidariteti Olimpik do të marrë informata për ecurinë e kësaj pune, përmes nesh, Federatave përkatëse Ndërkombëtare atyre vendore dhe trajnerëve të tyre”, thotë Hasani për “Zërin”.

Në rast se eventualisht ndonjëri prej sportistëve nuk i përmbush kriteret e kërkuara, atëherë ai mund ta humbë bursën olimpike. “Solidariteti Olimpik e përtërin kontratën çdo katër muaj. Prandaj, nëse dikush ngec, mund ta humbë bursën olimpike dhe mund të zëvendësohet me një sportist tjetër. Por, unë besoj se të gjithë sportistët e pajisur me bursa olimpike do të kenë progres”, vazhdoi numri 1 i sportit kosovar.

Paratë, s’janë për t’i çuar në shtëpi

Besim Hasani i këshillon sportistët që t’i menaxhojnë si duhet paratë e marra, për t’u përgatitur sa më mirë për Olimpiadën e Rios. “Këto para duhet të dinë t’i menaxhojnë sportistët, pasi u nevojiten për ushtrime, udhëtime, ushqim, por edhe për kontrolle të ndryshme, fizike dhe psikike. Ato nuk u janë dhënë t’ua dorëzojnë familjeve të tyre, por për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat që i presin në Olimpiadë”, ka thënë ai.

Sportistët, do të ushtrojnë me ekspertë

Përpos bursave olimpike, sportistët kosovarë do të kenë edhe beneficione tjera. KOK-u ka premtuar se ata do t’i dërgojë jashtë vendit, për të ushtruar me ekspertë të sporteve përkatëse, por që do të sillen edhe ekspertë të huaj në vendin tonë.

“Ekziston edhe një buxhet tjetër, i cili do të përdoret po ashtu për përmirësimin e performancave të sportistëve. Secilit sportist do t’i takojnë në përgjithësi nga 3333 dollarë, me të cilat do të ketë mundësi të ushtrojë me ekspertë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Këto ushtrime do t’ju ndihmojnë sportistëve tanë, pa dyshim”, përfundoi Hasani.

Lum Zhaveli (notar), Rita Zeqiri (notare), Erendita Gërguri (Taekëondo), Qëndrim Guri (çiklist), Majlinda Kelmendi (xhudiste), Nora Gjakova (xhudiste), Akil Gjakova (xhudist), Letrime Krasniqi (xhudiste), Urata Rama (shenjëtare), Lumturie Rama (shenjëtare), Musa Hajdari (atlet), Vijona Kryeziu (atlete), Hazir Asllani (shigjetar), Armend Xhoxhaj (boksier) e Kastriot Sedolli (mundës), janë sportistët që ditë fituan bursa olimpike. /Zëri/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT