Këtë të martë është shënuar numri më i madh i të prekurve në një ditë. Me 36 persona të infektuar, kjo e martë është ndër ditët më të zeza që kur ka nisur pandemia.

Rritja e të infektuarve vjen në një kohë kur njerëzit kanë nisur të ulin në maksimum vigjilencën. Rëndomë në tiranë shikon njerëzit që nuk mbrohen, në turma e tubime shumë pranë njëri tjetrit.

Tirana ka numrin më të madh të banorëve dhe qartazi distancimi fizik në kryeqytet nuk po respektohet. Kjo është arsyeja që Tirana është edhe kryeqyteti i pandemisë shqiptare të Covid.

Fqinji ynë lindor, Maqedonia e Veriut, e provoi më herët rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus me disa qindra persona në ditë. Kjo detyroi që qytete si Shkupi dhe Tetova të futen sërish në izolim.

Gjithçka atje erdhi sepse nuk u respektua distancimi fizik dhe fatkeqësisht edhe Shqipëria ka dhënë sinjale se ndodhet në këtë rrugë.

Heqja e kufizimeve është e rëndësishme për vijimin normal të jetës dhe aktivitetit ekonomik, veçanërisht në qytete e mëdha si Tirana, por pakujdesia jonë mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.

Nëse numrat e të prekurve do të rriten si sot nuk është e largët dita kur izolimi do rikthehet. Që kjo mos ndodhë, ka vetëm një zgjidhje, mbani distancim fizik, mbani maske dhe lani duart. /Altin Kreka/ Top Channel