Kosova përballet me kontrabanë të mallrave të ndryshme e ndër to futet edhe ajo e kafshëve.

Këto kafshë konfiskohen nga AUV përmes inspektoratit veterinar dhe dërgohen në qendrat e caktuara, varësisht nga lloji i tyre.

Vetëm gjatë këtij viti u konfiskuan 109 kafshë të llojit të gjedheve dhe 170 të llojit të dhive dhe deleve.

Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinarisë së Kosovës, Lamir Thaçi tha se në momentin e hasjes së kafshës pa numër të matrukulit, cilësohen si të kontrabanduara dhe dërgohen në fermat dhe shtallat e burgut të Dubravës.

‘’Në të gjitha rastet kur policia dhe dogana kanë hasur kafshë pa numra të matrikulit dhe që kanë qenë të dyshimta për kontrabandim, inspektori ka bërë verifikimin e tyre, ato kafshë janë konfiskuar direkt nga dogana dhe vendqëndrimi i tyre është i caktuar të jetë tek fermat dhe shtallat e burgut të Dubravës dhe menaxhohen nga burgu’’, tha Thaçi për Demokracia.com

Vetëm gjatë këtij vit janë konfiskuar 109 kafshë të llojit të gjedheve dhe 170 kafshë të llojit të dhive e deleve. Thaçi tha se autoritetet kompetente janë ato që veprojnë që këto kafshë të kontabanduara të mos hyjnë në tregun e brendshëm

‘’Vetëm gjatë këtij viti janë konfiskuar 109 kafshë të llojit të gjedheve dhe janë të konfiskuar rreth 170 kafshë të llojeve të dhive, deleve, dhe në secilin rast autoritet kompetente veprojnë që kafshët e kontrabanduara mos të hyjnë në tregun e brendshëm apo të shkojnë te fermerët, sepse në radhë të parë nuk janë të sigurta sepse nuk janë nënshtruar kontrolleve që janë të aplikueshme në Kosovë, sepse në këtë mënyrë ato ju shmangen procedurave të taksave të doganës dhe ATK-së’’, tha Thaçi.

Pas analizave që iu bëhet këtyre kafshëve vendoset për fatin e tyre. Thaçi thotë se në rast së këto kafshë rezultojnë të shëndetshme atëherë bëhet therja dhe tjetërsimi i tyre ndërsa kur ato kanë sëmundje të ndryshme ato asgjësohen.

‘’Pas vendosjes në fermat e Dubravës ne dërgojmë inspektorë dhe veterinar për marrjen e mostrave të gjakut për të verifikuar gjendjen e tyre shëndetësore, dhe pas daljes së rezultateve nëse shihet se kafsha është e shëndoshë burgu vendos për tjetërsim dhe therje të tyre, ndërsa në rastet kur ka dyshime për ndonjë sëmundje tërhiqen dhe asgjësohen sipas rregullave veterinare që janë në fuqi. Të gjitha analizat për këto kafshë në këtë vit ishin negative dhe s’kanë poseduar asnjë sëmundje. Delet dhe dhitë dërgohen tek personi i cili zihet me to dhe mbahen në monitorim dhe të bllokuara nga ana e doganës, ku kryhen testimet laboratorike me marrjen e mostrës së gjakut dhe testet i kryejmë në laboratorin e veterinarisë në kuadër të AUV, dhe pas daljes së rezultateve dogana vendos për fatin e tyre, ku në rast kur dalin negativ dogana bën shitjen sipas procedurave që ajo ka’’, tha Thaçi.

Thaçi tregon edhe për procesin e asgjësimit të këtyre kafshëve me rastin se ato rezultojnë për ndonjë sëmundje. Ai thotë se komunat janë ato që vendosin për lokacioni ku bëhet groposja e këtyre kafshëve më qëllim të jenë vende të sigurta, që mos të jenë ndotëse dhe t’i plotësojnë kushtet.

‘’Asgjësimi i kafshëve sipas rregullave veterinare gjithmonë bëhet sipas kritereve që vendos inspektori veterinar, fillimisht përcaktohet lokacioni ku nuk krijon ndotje dhe i plotëson kushtet, dhe ai lokacion vendoset nga ana e komunave, dhe pastaj ne me anë të kompanive të kontraktuara ku e bëjmë therjen e tyre siç është e përcaktuar me ligj dhe pastaj groposjen e tyre në vend të sigurt’’, tha Thaçi.

Ai tha se gjatë këtij viti nuk pati raste të tilla kur kafshët rezultuan pozitive me ndonjë sëmundje.

‘’Ne këtë vit nuk kemi pasur rezultate pozitive ose që kanë rezultuar me ndonjë sëmundje dhe nuk ka ndodhur një procedurë e tillë’’, tha Thaçi.

Pas përhapjes së madhe të sëmundjes së shpezëve H5N8 edhe Kosova ka marrë masa mbrojtëse ndaj këtij rreziku.

Deri më tani Thaçi thotë se nuk kemi raste të raportuara të gripit të shpezëve H5N8 në Kosovë.

‘’Pas raportimit të këtyre rasteve në botë ne kemi filluar përgatitjen e shtallave tona emergjente ashtu si në kohët e kaluara kur ka pasur gripe të tilla të shpezëve. Deri më tani fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë rast të dyshimtë për këtë grip, pra vendi ynë është ende zonë e sigurt sepse nuk kemi ndonjë rast të raportuar apo të dyshimtë’’, tha Thaçi.