Kthehet lista Serbe

Pas rreth tre muajsh bojkot, zyrtarët e Listës Serbe kanë marrë vendim që të kthehen në institucione të Kosovës. Ky vendim, sipas lajmit nga vetë përfaqësuesit e kësaj Liste, është marrë pas një takimi që është zhvilluar mes tyre dhe partnerëve të koalicionit LDK-PDK.

Lista Serbe, të cilën e drejton Aleksandër Jabllanoviq, ministër i shkarkuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka marrë garancinë nga udhëheqësit e LDK-së dhe PDK-së, për disa çështje që kanë të bëjnë me serbët.

Ndonëse kërkesat e kësaj Liste në vazhdimësi ishin për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, tani flitet për disa gjëra të tjera. Një prej premtimeve që Lista Serbe ka marrë nga kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi është që dy partitë LDK dhe PDK, në të ardhmen nuk do të marrin vendime të njëanshme, pa u konsultuar edhe me Listën Serbe.

“Kjo vlen në veçanti kur bëhet fjalë për privatizimin e ndërmarrjeve publike në pjesët ku shumica janë serbë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Një tjetër premtim ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë në pjesët ku jetojnë serbët, dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës, për kthimin e serbëve në Kosovë.

“Po ashtu është rënë dakord që në të ardhmen të ketë më shumë përfaqësues serbë në institucione të Kosovës”, thuhet më tej në kumtesën e tyre.

E për të trajtuar në mënyrë efikase këto çështje, partnerët e koalicionit qeveritar LDK-PDK dhe Lista Serbe, kanë rënë dakord që të formojnë një grup ndërministror, i cili do të kujdeset që premtimet e Mustafës dhe Thaçit ndaj partnerëve serbë të koalicionit, të realizohen.

Jabllanoviq, i cili në janar të këtij viti është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, pas protestave të vazhdueshme të qytetarëve që kërkonin largimin e tij, për shkak se ofendoi nënat gjakovare, duke i quajtur “egërsira”, ka bërë të ditur për “Zërin”, një ditë më parë, se ka qenë në pritje të Isa Mustafës për ta ftuar atë në takim.

Deri një ditë më parë, Jabllanoviq ka insistuar se kushti kryesor për kthimin e tyre në institucione të Kosovës, është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, që ata e quajnë “Zajednica” (Bashkësi). Themelimi i “Zajednicës”, është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit LDK, PDK, Lista Serbe.

“Po kushti ynë vazhdon të mbetet i njëjtë, themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. Një gjë të tillë e ka nënshkruar vetë Isa Mustafa, po ashtu është marrëveshje e arritur në Bruksel, prandaj nuk jemi duke kërkuar diçka të re, por thjesht atë që vetë e kanë premtuar zyrtarët e Kosovës”, pati thënë Jabllanoviq.

Ndërkohë që tani “Zajednica” për të cilën kjo Listë ka bërë shumë zhurmë duke kërkuar themelimin e saj, nuk përmendet në kumtesën për media të Listës Serbe.

Ndonëse para pak ditësh, Listës Serbe, por edhe Beogradit, i ka bërë me dije Qeveria e Kosovës se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe, nëse Serbia vazhdon të mbështet strukturat ilegale në veri.

Këtë paralajmërim e ka bërë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

“Po themelimi i Asociacionit rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit, por zbatimi i marrëveshjes vlen për të dyja palët, ku Serbisë i është kërkuar që në ndërkohë të heqë dorë nga mbështetja e strukturave paralele. Andaj derisa nuk e bën një gjë të tillë, nuk do të ketë Asociacion”, ka deklaruar Tahiri për “Zërin”.

Sipas saj, fatkeqësisht nga tetori i vitit të kaluar, Beogradi zyrtar ka forcuar mbështetjen për strukturat paralele në veri.

Ndryshe, nga zyra e kryeministrit Mustafa nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me kthimin e Listës Serbe.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT