Vajza e Kryeprokurorit të Shtetit ishte më e mira, më e shkolluara dhe i plotësonte më së shumti kriteret për t’u punësuar sistemin e drejtësisë. Ky është shpjegimi i shefit të Nita Lumezit, Enver Peci. Ai ka thënë se vajza e Aleksander Lumezit ka qenë e kualifikuar për pozitën e zyrtares ligjore në Gjykatën Supreme. Kështu, Nita e sapodiplomuar ka mposhtur 24 konkurrentë të tjerë në garën për të njëjtën pozitë. Më herët, vajza e Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë praktikante në Zyrën e Kryeministrit.
Shefi i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka konfirmuar punësimin e Nita Lumezit, duke thënë se ajo ishte e kualifikuar për këtë pozitë dhe se i ka plotësuar kushtet për të qenë zyrtare ligjore në gjykatën që ai drejton.
Nita Lumezi, vajza e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mori pozitën e “zyrtares ligjore” në Gjykatën Supreme të Kosovës, edhe pse dhjetëra juristë kosovarë kanë pasur interesim të madh për këtë post.
Në një bisedë telefonike për Gazetën Express, i pari i Supremes tha se Nita Lumezi është zgjedhur me komision dhe se ka qenë e kualifikuar për këtë post.
“Po ka qenë në komision”, tha ai, duke u përgjigjur shkurtimisht në pyetjet e parashtruara.
Peci tha për Express se Nita Lumezi është me angazhim prej UNDP’së si juriste, mirëpo, përzgjedhjen për këtë pozitë në këtë gjykatë, e ka bërë vetë gjykata.
“Po ka qenë në komision. Është projekt i UNDP’së. Ajo është me angazhim prej UNDP’së si juriste, si zyrtare ligjore”, tha kryetari i Supremes.
I pyetur se kush e bëri përzgjedhjen e kandidatëve për këtë pozitë, Peci tha: “Përzgjedhjen e personave e ka bërë gjykata”.
Vajza e Kryeprokurorit Lumezi, para se të fitonte këtë vend pune, kishte pasur privilegjin që rreth një vit e gjysmë më parë, si studente praktikën ta kryej hiç më pak se në Zyrën e Kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa.
Mediat në atë kohë kishin raportuar për punësimin e vajzës së Kryeprokurorit në Kryeministri, dhe kabineti i kryeministrit Mustafa, ishte përgjigjur se Nita Lumezi, vajza e Kryeprokurorit të Shtetit, këtë angazhim e ka pasur në cilësinë e praktikantes pa pagesë.
Sot, për Expressin, Enver Peci tha se punësimi i Nita Lumezit është bërë për shkak se ajo ka qenë e kualifikuar për pozitën e zyrtares ligjore të Supremes.
“Popo, kjo ka qenë e kualifikume, i ka plotësu kushtet. Ajo iu ka nënshtru një komisioni vlerësues dhe ka dalë në atë pozitë””, ka thënë Peci.
Gazeta Metro ka siguruar edhe përgjigjen që Zyra e Personelit u ka dërguar 24 kandidatëve e listës së ngushtë që kishin hyrë intervistë për këtë vend pune. Aty ata njoftohen se këtë vend pune e ka fituar Nita Lumezi.
“Ju njoftojmë, lidhur me konkursin nr. 05/2018 për pozitën : zyrtar ligjor në Gjykatën Supreme dhe për intervistën e mbajtur me datën 04.05.2018. Ju informojmë se pas përfundimit të vlerësimit të kandidatëve për vendin e punës : zyrtar ligjor në Gjykatën Supreme, për këtë pozitë është përzgjedhur : Emri dhe mbiemri: Nita Limezi Piket e përgjithshme te fituara janë: 485.5 Me këtë rast ju falënderojmë për pjesëmarrje në konkurs duke ju dëshiruar fat dhe plot sukses në të ardhmen. Zyra e personelit”, thuhet në njoftimin dërguar me email atyre.