Kryetari Bahtiri përcolli nga afër fushatën e korrje-shirjes së grurit

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka përcjell për së afërmi fushatën e korrjes së grurit në komunën e Mitrovicës, duke i vizituar disa pronarë të arave të mbjella me grurë që po i korrnin me autokombajna, për t’i përgëzuar për punën në sigurimin e bereqetit.

Në fshatin Frashër, kryetari Bahtiri bisedoi me bujkun Sheremet Maliqi dhe autokombajnerin Ismet Kalludra, të cilët e njoftuan me punën që po bëhet dhe për rendimentet e grurit sivjet.

Bujku Maliqi falënderoi kryetarin Bahtiri për vizitën e bërë, duke thënë se ishte befasi për të që kryetari të vizitoj bujqit në vlugun e punëve nëpër ara dhe madje të drejtoj autokombajnën për disa minuta.
Ai tha se ndonëse ka pas disa probleme gjatë mbjelljes së dy hektarëve me grurë, është i kënaqur me rendimentin e grurit që po e grumbullon.

Edhe autokombajneri Kalludra tha se fushata e korrje-shirjes së grurit po vazhdon pa probleme. “Koha është shumë e mirë dhe ne po punojmë me të madhe për të përfunduar sa më shpejtë korrjen e të gjitha sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Rendimentet janë më të mira se në vitin e kaluar, ndërsa ata që i kanë punuar arat më mirë dhe i kanë plehërosur, po ndahen edhe më mirë, pasi që po marrin grurë të cilësisë së lartë dhe më shumë se në vitet tjera.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se po ndjehet shumë mirë që fushata e korrje-shirjes së grurit ka filluar pa asnjë problem dhe që po vazhdon po ashtu pa probleme e pengesa të tjera.

“Është kënaqësi e madhe kur sheh se bujqve nuk ju ka shkua mundi huq. Kjo kënaqësi shtohet akoma kur dëgjon se rendimentet e grurit janë shumë të mira. Unë i përgëzoi bujqit për punën e mirë që kanë bërë.
Komuna do të mobilizoj të gjithë makinerinë që ekziston për tu angazhuar në fushatën e korrje-shirjes së grurit, në mënyrë që të shfrytëzohet koha e mirë që po mbretëron dhe punë të përfundoj si është më së mirë dhe sa më shpejt. Po ashtu, bujqit do t’i mbështesim përmes subvencioneve edhe në mënyra të ndryshme”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT