Kryetarët Bahtiri e Rakiq përcjellin me vëmendje aktivitete për kërkimin e Sead Alushit

 

Në ora 19:00 kanë përfunduar kërkimet në lumin Ibër, pa sukses, në mes të Mitrovicës e Zveçanit, për gjetjen e të riut Sead Ismet Alushi, i lindur më 10.09.1998, në Suhadoll të Mitrovicës, i cili dyshohet të ketë rënë në lum, të premten rreth orës 15:00.
Djaloshi 17 vjeçar, bashkë me dy shokë të tjerë kishin shkuar për të grabitur një qen në një objekt, mu aty ku bashkohen lumenjtë Ibër e Sitnica dhe duke ikur nga aty, pasi që janë vërejtur nga pronari serb i qenve,  dy prej të rinjve shqiptarë kanë rënë në lum.
Sipas Besim Hotit, zëvendës komandant i stacionit të policisë në veri të Mitrovicës, njëri prej tyre është shpëtuar falë ndihmës që i ka ofruar pronari serb i qenve, i cili e ka strehuar më pastaj në një shtëpi serbe aty afër, prej nga ka shkuar në shtëpinë e tij.
Në kërkim të Seadit janë angazhuar gjatë tërë ditës pjesëtarët e FSK-së, pjesëtarët e policisë së Kosovës nga ta dy stacionet e qytetit, pjesëtarët e zjarrfikësve të të dyja komunave dhe pjesëtarët e KFOR-it.
Në vendin ku është vendosur tenda e FSK-së dhe prej nga fillonin aktivitetet  për kërkimin e të riut shqiptar, në pjesën e banuar e banuar me shqiptarë, karshi objektit prej nga të rinjtë kanë rënë në lum, kanë dalë kryetari i komunës jugore Agim Bahtiri, kryetari i komunës veriore, Zoran Rakiq, komandanti i Batalionit Rajonal të KFOR-it për Veriun e Kosovës, gjeneral brigade i FSK-së, Zymber Halimi, col.Fischer Hansjorg, komandanti i stacionit jugor të policisë, Ahmet Gjosha, zëvendës komandanti i stacionit policor në veri, Besim Hoti, të cilët i koordinonin aktivitete për kërkimin e Seadit.
Kryetarët Bahtiri e Rakiq ofruan tërë mbështetjen e tyre, çfarëdo qoftë ajo, për gjetjen e të riut. Po ashtu, ata mbështetje i ofruan edhe familjes Alushi, duke shprehur para së gjithash dëshirën  e tyre që Seadi, të gjendet i gjallë, për çka thanë se nuk duhet humbur shpresat.
Si kryetari Bahtiri, ashtu edhe kryetari Rakiq, kërkuan nga mediet dhe qytetarët që ky rast fatkeq të mos politizohet, sepse nuk ka asnjë prapavijë të tillë, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të vazhduar së bashku aktivitetet për gjetjen e Seadit dhe për të mbështetur familjen Alushi në këto momente të vështira.
 “Ne kryetarët e të dyja komunave kërkojmë nga qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, që të mos bien pre e provokimeve të njerëzve keqbërës, përderisa organet e hetuesisë të mos e japin fjalën e vet. Mu për këtë arsye, ne kërkojmë nga këto organe dhe i mbështesim fuqishëm ato, që punën e tyre ta kryejnë sa më shpejtë dhe ta njoftojnë opinionin lidhur me këtë”, kanë thënë kryetarët Bahtiri e Rakiq.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT