Kryeprokurori Lumezi priti në takim ambasadorin Norvegjez, Per Strand Sjaastad

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë, Per Strand Sjaastad.

Kryeprokurori Lumezi, fillimisht e uroi z. Per Strand Sjaastad për pozitën e ambasadorit të Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë, si dhe diskutuan për mundësinë e thellimit të bashkëpunimin në mes ambasadës Norvegjeze, sistemit prokurorial të Norvegjisë dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit, me theks të veçantë për shkëmbimin e përvojave në mes këtyre dy institucioneve.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar ambasadorin Norvegjez në Prishtinë se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës si dhe bashkëpunim në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftimin e këtyre veprave penale. Mes tjerash, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për rritjen e transparencës nga institucionet e drejtësisë e cila duhet të bëhet sipas ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për projektin “TIK SMIL”, (TIK–Teknologjia e informacionit dhe komunikimit. SMIL–Sistemi i menaxhimit informativ të lëndëve). Projekt i cili është duke u mbështetur nga ambasada norvegjeze dhe që është në implementim e sipër, ku si objektiv kryesor ka lehtësimin e punës dhe ngritjen e efikasitetit në bashkëpunimin profesional  në mes të dy sistemeve.

Kryeprokurori Lumezi e falënderoi ambasadorin Per Strand Sjaastad për mbështetjen e vazhdueshme që shteti norvegjez është duke e dhënë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, e në veçanti për sistemin prokurorial.