Kryeparlamentari Veseli takoi gratë deputete të të gjitha trojeve shqiptare

    Sot, me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, para fillimit të seancës së përbashkët të deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i Zi dhe Presheva, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një pritje të veçantë për mysafiret e kësaj seance, në hollin e Kuvendit.
    Gjatë kësaj pritjeje, kryetari Veseli shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Violeta Veseli, ndërsa ta pranishme ishin edhe përfaqësuese të tjera të jetës politike e shoqërore të vendit, si dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Prishtinë.
    Duke u dëshiruar atyre mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës dhe duke u uruar 8 Marsin, kryeparlamentari Veseli tha festat gjithmonë janë moment reflektimi për vlerat që simbolizojnë, dhe e tillë është e 8 Marsi – Dita e Gruas.
    Kryetari Veseli tha se sot është rasti të shihet më drejt se sa është bërë që simbolika e fuqishme e 8 Marsit të transformohet në realitetin e prekshëm jetësor të 364 ditëve të tjera të vitit. Kjo, shtoi z. Veseli, do të thotë të ndërtojmë një shoqëri pa diskriminim gjinor, ku pjesëmarrja e femrës në jetën publike kuptohet si diçka e natyrshme dhe vlerë e domosdoshme.
    “Republika e Kosovës ka krijuar një bazë të mirë standardesh ligjore që afirmojnë barazinë gjinore, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Praktikat e diskriminimit gjinor dhe paragjykimeve gjinore ndaj gruas, vazhdojnë të shfaqen në shumë fusha të realitetit social. Në këtë rrafsh, arsimimi përbën një instrument të fuqishëm për tu përballur me këtë sfidë që i bëhet zhvillimit tonë si shoqëri”, theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se arsimimi cilësor është rruga më e mirë për t’ia mundësuar femrës përfshirjen në jetën politike dhe ekonomike.
    Kreu i Kuvendit shtoi se barazia gjinore është një vlerë e domosdoshme për shoqërinë tonë, ngase përmes saj shoqëria demokratizohet edhe më shumë, politika humanizohet dhe çlirohet nga klishetë e burrnisë ballkanike, si dhe garantohet zhvillimi drejt standardeve më të larta perëndimore të jetës sociale.