Sot në Komunën e Gjakovës për vizite ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, bashkë me Ministrin e Financave z. Avdullah Hoti dhe Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi. Në takim me Kryetaren e Komunës znj. Mimoza Kusari – Lila dhe Kryesuesin z. Luan Gola, delegacioni i kryesuar nga Kryeministri i vendit, biseduan për procesin zhvillimor të Komunës dhe reformat ekonomike në nivel të Republikës së Kosovës.
Nga ana e saj, Kryetarja e Komunës së Gjakovës e informoi Kryeministrin dhe Ministrat për planet dhe nevojat e Komunës së Gjakovës.
Kërkesa e Komunës së Gjakovës për zonën industriale është ende aktive dhe Kryetarja theksoi domosdoshmërinë që Qeveria sa më parë të vendos për Bordin dhe të ardhmen e Agjencisë së Privatizimit dhe rrjedhimisht të ketë një vendim për kërkesat e Komunës.
Kryeministri Mustafa nga ana e tij foli për reformën ekonomike dhe planet e Qeverisë për përmirësim të ligjit për investimet e huaja, pakon fiske, ligjin për ndërmarrje publike dhe ligjin për PPP si kryesore për mundësi të tërheqjes së investimeve.
Sapo të kalojnë ligjet në Kuvend, Qeveria do të trajtojë në veçanti kërkesën e Komunës për hapësirat për zonën industriale.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës e vlerësoi lartë vizitën e parë të Kryeministrit në Gjakovë në funksionin e tij institucional dhe theksoi se me një bashkërendim të aktiviteteve nga të gjitha nivelet, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është i mundur në mënyrë të barabartë në gjithë Kosovën.
- Advertisement -