Kryeministri Isa Mustafa nderohet me Medaljen “Nderi i Akademisë” nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Akademinë e Shkencave, ku është pritur nga kryetari i saj, Akademik Muzafer Korkuti.
    Gjatë takimit, Akademik Korkuti, ia ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Akademik Isa Mustafës Medaljen “Nderi i Akademisë”, të akorduar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me motivacionin “Për kontribut të spikatur shkencor e pedagogjik, për arritje të çmuara personale në ndërthurjen e vlerave të shkencës me kapacitetet administrative të drejtimit të pushtetit vendor dhe atij qendror në të mirë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, për mbështetjen e vazhdueshme të marrëdhënieve mes akademive tona dhe më gjerë të shkencës si faktor zhvillimi e mirëqenie në Republikën e Kosovës”.
    Kryeministri Isa Mustafa, falënderoi përzemërsisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për këtë nderim, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e shkencës, në arsim, kulturë e në fushat e tjera të jetës, ndërmjet dy vendeve.
    Akademiku Muzafer Korkuti ka vlerësuar faktin që pjesë e vizitës së parë zyrtare të kryeministrit së Kosovës në Shqipëri, ishte edhe takimi me akademikët shqiptarë, si një vlerësim për shkencën, shkëmbimet akademike dhe bashkëpunimin mes studiuesve dhe shkencëtarëve të të dy vendeve.
    “Pavarësisht prej hapësirave dhe konteksteve historike, studiuesit shqiptarë dhe kosovarë kanë dëshmuar vlera dhe kontribute të rëndësishme, të cilat vendosen në themel të kombit dhe u shërbejnë brezave që vijnë”, theksoi Akademiku Muzafer Korkuti.
    Akademikët shqiptarë po ashtu vlerësuan lart orientimin e shtetit dhe autoriteteve të Kosovës lidhur me vlerat dhe kapacitetet akademike.