Kryeministri i Irakut: Në luftën kundër DEASH-it kemi humbje prej 100 miliardë dollarësh

Kryeministri i Irakut, Hajdar el-Ibadi tha se në luftën kundër organizatës terroriste DEASH vendi i tij ka humbje prej 100 miliardë dollarësh, raporton Anadolu Agency (AA).

Ibadi në një deklaratë në qytetin Kerbela tha se “Në luftën kundër DEASH-it në veri dhe perëndim të shtetit kemi humbje prej 100 miliardë dollarësh. Irakianët ishin të suksesshëm në mbrojtjen e integritetit të vendit”.

Lidhur me krizën mes Bagdadit dhe Erbilit, Ibadi tha se “Ne nuk kemi nevojë për ndërmjetësim me popullin kurd. Forcat Peshmerga janë atdhedashëse. Janë pikëlluese akuzat për tradhti të atyre (Peshmergëve) që nuk kundërshtojnë ushtrinë e Irakut”.

Ibadi tha se forcat Hashdi Shabi nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen në Irak për shkak se janë grup i armatosur. Ai tha se zgjedhjet do të mbahen me kohë (në muajin maj të vitit 2018).

Duke folur për vizitën e tij në Arabinë Saudite, Ibadi tha se kjo ishte një vizitë e rëndësishme për integritetin e shtetit. Ai paralajmëroi se nuk duhet të rriten tensionet mes SHBA-ve dhe disa shteteve të rajonit.