14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr, transmeton Gazeta Express. 

Edhe pse janë nga të paktët pa ndonjë lëndim trupor, tronditja që kanë përjetuar është e vështirë të përshkruhet. Prandaj, përveç ushqimit, veshjeve dhe ilaçeve, atyre iu ofrua edhe ndihmë profesionale psikologjike.

“Katërmbëdhjetë persona janë duke u kujdesur aktualisht në Pansion Antonio sepse ata kishin kapacitet të mjaftueshëm për t’i akomoduar të gjithë në të njëjtin vend. Për momentin ne po ua japim drekën, domethënë një vakt të nxehtë nga restoranti Uno. Ne u kemi siguruar atyre ilaçe dhe aktualisht janë duke mbledhur informacione për ato që kanë nevojë secili individualisht sepse ata vijnë nga një aksident ku kanë humbur të gjitha sendet e tyre personale. Me ndihmën maksimale të ekspertëve, ne jemi gjithashtu të përfshirë me çdo gjë në mënyrë që të mund t’i sigurojnë se asgjë nuk do t’u humbasë”, tha për SBplus Marko Shimiq, nënkryetar i qarkut Brod-Posavina.

Ngushëllime u dërguan me telegram nga Administrata e qytetit Slavonski Brod, dhe kryetari i tij, Mirko Duspara bëri një deklaratë publike.

“Këtë mëngjes të gjithë ishim të befasuar nga lajmi i një aksidenti të tmerrshëm trafiku afër Slavonski Brod. Unë u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe miqve të viktimave, si dhe gjithë popullit të Kosovës, dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, tha Duspara, transmeton Express.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave është nisur drejt Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona që u lënduan nga aksidenti në autostradën A3 Zagreb – Lipovac, i autobusit kosovar të “Deva Tours”, që ua mori jetën 10 personave.

Ai është parë i përlotur, teksa ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar “janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin po ashtu në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po qëndron në stacionin rajonal të Policisë.