Kreshnik Qato tërhiqet nga boksi

Kreshnik Qato “var dorezat në gozhdë”. 36-vjeçari nga Durrësi i jep fund dueleve në ring pas një karriere të suksesshme në boksin profesionist në Kategorinë e Peshave të Mesme, gjatë së cilës numëron 37 takime, 29 prej të cilave të fituara, 5 prej tyre me “KO”. Qato i dekoruar në vitin 2013 nga Presidenti Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh” siguroi arritjet më të mëdha të karrierës me mbështetjen e promotorit të tij, Ylli Ndroqi, aktualisht President i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist.
Qato e bëri të ditur vendimin për mbylljen e karrierës në një ceremoni ku ndër të tjerë ishin prezentë ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, Presidenti i FSHF-së Armand Duka si dhe disa nga personalitetet më të larta të sportit shqiptar, boksit në veçanti.Merr fund në këtë mënyrë karriera si boksier e Kreshnik Qatos,  i mbiquajtur me epitetin “The Eagle”, Shqiponja ai ka shënuar disa momente kulmore ku spikasin titulli i kampionit të Europës Lindore, në versionin WBA, por mbi të gjitha dueli në mars 2005 në Durrës ndaj Rizvan Magomedow ku fitoi titullin IBC International, triumfi në 2 prill të 2009 ndaj portugezit Vitor sa ku siguroi titullin Botëror në peshat e mesme në versionin WBF, apo triumfi në Tiranë ndaj rusit Aleksandër Zaitzev që i siguroi titullin europian “EE-EBU”. Një karrierë e pasur me emocione por edhe sakrifica.
E veçantë ishte përshëndetja për Qaton nga ana e legjendës së gjallë të boksit shqiptar, Todi Janku. Binom i pandashëm i karrierës së suksesëshme të Qatos është padiskutim dhe promotori i tij Ylli Ndroqi. Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist garantoi mbështetjen e tij edhe për boksierët e rinj që duan të ndjekin shembullin e Kreshnik Qatos që siç deklaroi edhe ministrja Nikolla, mbetet një shembull dhe model suksesi për t’u ndjekur nga të rinjtë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT