“Krerët fetarë në lëvizjen kombëtare shqiptare në vilajetin e kosovës (1878-1912)” Nga Dr. Nuridin Ahmeti

Akademiket e Prishtinës vlerësojnë librin “Krerët fetarë në lëvizjen kombëtare shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912), të autorit dr. Nuridin Ahmeti.
Kohëve të fundit, Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi librin: “Krerët fetarë në lëvizjen kombëtare shqiptare në vilajetin e kosovës (1878-1912)”, të autorit Dr. Nuridin Ahmeti. Për herë të parë në historiografinë tonë në mënyrë përmbledhëse dhe faktografike prezantohet kontributi i ulemave në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës, nga vitit 1878 e deri në vitin 1912. Ndonëse kontributi i ulemave tanë nuk ishte vetëm në aspektin shpirtëror, ata krahas anës shpirtërore kontribut të çmueshëm dhanë edhe në aspektin kombëtar. Por, fatkeqësisht historiografia jonë këto personalitete i ka trajtuar me përbuzje apo nuk i ka përmendur fare. Duke u munduar që ta plotësojnë sadopak ketë boshllëk, studiuesi Nuridin Ahmeti, i ka ofruar lexuesve monografinë “ Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës”.
Librin e ka botuar Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka mbi 300 faqe. Nga materiali i lexuar dhe i shqyrtuar kuptojmë se me zhvillimin e feve në këto territore, doli nevoja e natyrshme edhe për udhëheqës shpirtërorë, të cilët ne i quajmë me termin përmbledhës ulema. Në këto kthesa të mëdha nëpër të cilat kaloi populli ynë, kleri fetar luajti një rol të rëndësishëm, të udhëhequr nga parimet të cilat i predikonin, fetare, se njeriu (besimtari) duhet ta dojë vendin e vet, duhet të kontribuojë për vendin e vet, e ka për detyrë t’i dalë zot atdheut kur i kanoset rreziku. Fetari i mirë është edhe atdhetar i mirë, duke predikuar dashuri e mirëkuptim, jo vetëm midis besimtarëve të tij, por edhe midis bashkatdhetarëve me fe tjetër. Pjesa më e madhe e ulemave shqiptarë, me parime të tilla, krijuan bazament të fuqishëm për qëndrueshmërinë, mbijetesën dhe unitetin e kombit shqiptar. Pjesëtari i ulemasë, si njeri i popullit, shpeshherë do të ballafaqohet edhe me vështirësi të ndryshme, natyrisht do të ballafaqohet me ato vështirësi që do t’i ketë edhe vetë populli. Pjesa më e madhe e ulemave, kur ishte fjala për çështjen e popullit dhe e atdheut që i lindi dhe i rriti, nuk përtuan që t’ua kthejnë pushkën sunduesve e okupatorëve osmanë, serbë, malazez e bullgarë, u rreshtuan karshi popullit të tyre, xhematit, vëllezërve e familjarëve të tyre në mbrojtje të tokave të tyre. Pas vitit 1878, me krijimin e rrethanave të reja në Ballkan dhe më gjerë, sidomos me dobësimin e Perandorisë Osmane, fuqizimin e Perandorisë Ruse dhe sidomos tendencat e kësaj të fundit, që duke e përdorur fuqinë e saj, përballë dobësimit të Perandorisë Osmane dhe duke shfrytëzuar qëndrimin miratues të fuqive ët tjera për dobësimin e Perandorisë Osmane, Rusia ia arriti qëllimit që ta organizojë Traktatin e Shën-Stefanit. Rusia ia imponoi Turqisë Traktatin e Shën Stefanit dhe njëkohësisht deshi që disfatën e kësaj të fundit ta përdorë për interesat e saja në Ballkan, duke kontribuar në krijim e shteteve, si: Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Kjo nënkuptonte edhe shkëputjen e një pjese të konsiderueshme të territoreve që i administronte Perandoria Osmane, duke e gllabëruar një pjesë të konsiderueshme të tokave shqiptare. Në kontekst të kësaj gjendjeje të krijuar inteligjencia shqiptare e kohës, pjesë e së cilës ishte edhe ulemaja, do të marrë masa urgjente. Kështu, ulemaja e Prizrenit, së bashku me parinë e këtij vendi, do t’i dërgojnë një protestë ambasadorit të Francës në Stamboll kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit për aneksimin e tokave shqiptare nga Serbia, Bullgaria e Mali i Zi. Mes tjerash, në telegram thuhet: ”…Duke pasur besim te Zoti, ne do të luftojmë kundër atyre që do të përpiqen të nënshtrojnë vendin tonë…”, duke dhënë prova se, kur është fjala për atdheun e tyre, janë në gjendje ta mbrojnë me çdo kusht, madje edhe me çmimin e sakrificës më të madhe, me jetën e tyre.
Pika kulmore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare do të jetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si një organizatë politiko-ushtarake, e cila për nga shtrirja, organizimi, veprimtaria politiko-ushtarake, shënonte etapën më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në shek. XIX, në të cilën një rol kyç, pa mëdyshje, do ta ketë edhe ulemaja, të cilët u treguan të gatshëm, krahas angazhimit me pushkë e me penë, të vënë në dispozicion objektet e kultit, xhamitë, medresetë, teqetë etj. Xhamia e Bajrakut në Prizren, apo siç njihet në ditët e sotme “Bajrakli Xhamia”, së bashku me objektet e saj përcjellëse, si medresenë etj., teqeja e Shejh Hamdisë në Gjakovë, teqeja e Dervish Salihut në Has, ishin vetëm disa nga objektet e kultit fetar në Vilajetin e Kosovës, ku shumë krerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare morën vendime për fatin e popullit tonë. Me një fjalë këto objekte dhe njerëzit që shërbenin në to ishin, sa herë që e kërkoi nevoja, në dispozicion të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të njerëzve të saj. Angazhim i ulemave tanë do të shprehej edhe nëpërmjet gatishmërisë për të marrë rol kyç në udhëheqjen e Lidhjes dhe të degëve të saj nëpër qytete të ndryshme. Shembuj konkretë janë: Ymer Prizreni, i cili ishte njëri prej udhëheqësve kryesorë të Lidhjes, pastaj Ahmet ef. Koronica, Ismail ef. Yvejsi, Myderriz Hasan ef. Shllaku, Shejh Emini nga Gjakova, nga Peja myderriz Haxhi Zeka, nga Mitrovica myderriz Osman Efendiu dhe Myderriz Ali Efendiu, nga Shkupi myderriz Abdyl Efendiu, nga Jeni Pazari ishte Myftiu (nuk e dimë emrin e tij, N.A.).Kongresi i Berlinit ishte edhe një shqetësim tjetër i ulemave shqiptarë, duke e kuptuar se çfarë po përgatitnin fuqitë e mëdha në dëm të interesave shqiptare, ata do t’ua dërgojnë telegramet e para zyrtare drejtuesve të këtij Kongresi, apo shqetësimet e para zyrtare të popullit shqiptar do t’i arrijnë këtij Kongresi, përmes ulemave, konkretisht përmes Myderriz Daut Efendise nga Tivari, që do të pasohet edhe me dy telegrame të tjera të dërguara nga myftiu Zejnel Abedini nga Prishtina. Të njëjtin rol ulemaja e kishte edhe në Lidhjen Shqiptare të Pejës, sepse kjo Lidhje ishte vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe shumë nga emrat e ulemave, të cilët morën pjesë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do t’i gjejmë edhe në Lidhjen e Pejës, si: Haxhi Zekën, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Pejës, myderriz Hasan ef. Shllakun, Hafiz Ymer Gutën, Mulla Musën e Strellcit etj. Këta dy organizma me një shtrirje mbarëkombëtare, pa mëdyshje, siç e cekëm edhe më lart, funksionuan edhe falë rolit, vigjilencës dhe përkrahjes së pakursyer të ulemave. Krijimi i disa shteteve ballkanike, si i Serbisë, Malit të Zi etj., territoret e të cilave shtete u zgjeruan në dëm të tokave shqiptare, nënkuptonte faktin se popullata shqiptare e këtyre territoreve të kalonte nga sundimi osman nën pushtimin serbo-malazez. Pushtuesit e rinj do të jenë rrezik permanent për popullin shqiptar, sidomos për popullin shqiptar që tashmë jetonte në territoret që kishin okupuar Serbia dhe Mali i Zi. Substanca etnike shqiptare sidomos u rrezikua me fushatën masive të konvertimit të popullatës shqiptare myslimane në serbe ortodokse. Në këtë dhunë çnjerëzore, sipas të dhënave që i posedojmë, do ta pësojnë, së bashku me popullatën, edhe ulemaja e Plavës dhe Gucisë, e të cilët në kohën e Lidhjes Shqiptare të Pejës ishin zë i fuqishëm i kësaj Lidhjeje, si: Mulla Jahja Plava, Mulla Osman Çela, Ismail efendi Nikoçi etj. Popullata e Plavës dhe e Gucisë, sidomos ulemaja e kësaj ane, që nga kjo kohë, në vazhdimësi do t’i ekspozohen dhunës, sidomos vitet 1912-1913 do të jenë edhe më fatale për të. Nga dokumentet të cilat i kemi shfrytëzuar, vërehet një mobilizim të myftinjve të këtyre anëve, duke u dërguar telegrame instancave më të larta malazeze dhe duke i informuar këto instanca se çfarë po ndodhte me popullatën dhe ulemanë e kësaj ane.
Megjithatë, këto telegrame do të hasin në veshin e shurdhër të autoriteteve malazeze në atë kohë. Ngjarje me rëndësi dhe vendimtare në historinë tonë, për disa çështje do të jenë edhe ato të zhvilluara gjatë viteve 1908-1912. Këto ngjarje ndoshta do të jenë fryt i punëve të mëhershme që ishin bërë nga krerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ashtu edhe në Lidhjen Shqiptare të Pejës. Revolucioni xhonturk i vitit 1908 ishte, fillimisht, shumë premtues për shqiptarët, por më vonë udhëheqësit shqiptarë do të dalin të zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve, ulemaja, që nga fillimi mbajti një qëndrim antixhonturk, duke nuhatur me kohë, prapavijat e politikës xhonturke. Mirëpo, në literaturën e shfletuar historiografike, hasim edhe një emër, një mistik i quajtur Ymer Lutfi Paçarizi, me personalitetin e të cilit sidomos me opusin e tij krijues, ka mahnitur edhe boshnjakët të cilët kanë shkruar me admirim. Ngjarja pasuese që do të vijë pas Revolucionit Xhonturk do të jetë edhe Kongresi i Manastirit. Shumë shoqëri të vendit, por edhe të mërgimit, do t’i bashkonin forcat për unifikimin e një alfabeti shqip, iniciativë e cila fillimisht do të haste në rezistencë nga disa fanatikë fetarë, të cilët ishin të interesuar që edhe më tutje të përdorej alfabeti osman, por më vonë do të shohim se si një pjesë nga ulemaja do të ketë një qëndrim paksa më të butë nga ai fillestar, duke deklaruar për shkrimin e shqipes me alfabet osman, por kishte edhe të atillë nga mesi i ulemave, edhe pse të paktë në numër, kishte të tillë, si: haxhi Vildan Dibra, por edhe nga ata si Seit Hoxha që mbajtën një qëndrim (jo që nga fillimi) pro shkrimit të gjuhës shqipe me alfabet latin, por që fatkeqësisht historiografia jonë, këtyre personalitete të shkrimit shqip, ende vazhdon të mos i vërë në piedestalin e duhur. Vildan Dibra një personalitet i palodhshëm i çështjes kombëtare dhe fetare, kishte ndërmarrë një mision që të shëtiste nëpër të gjitha qendrat e vilajeteve shqiptare, natyrisht edhe në atë të Kosovës, për ta bindur popullatën myslimane se Kurani nuk e ndalonte shkrimin e gjuhës shqipe me shkronja latine. Veprimtaria e Vildan Dibrës do të reflektojë për të mirë, në veçanti te Sevasti Qiriazi, e cila për këtë personalitet do të flasë me një admirim të madh, duke u shprehur: ”Fjalët e haxhi Vildan Efendiut patën ndikim të fuqishëm në mendjen e shumë myslimanëve që mendonin se ata nuk duhet të shkruanin si të krishterë”.
Kryengritjet e vitit 1910-1912 në Vilajetin e Kosovës shoqërohen me data, ngjarje dhe personalitete të rëndësishme, por, të cilat, fatkeqësisht, deri sot padrejtësisht u mohuan. Pra, në këtë punim kemi bërë përpjekje që ta spikatim rolin e ulemave në këto ngjarje me rëndësi në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sikundër ishte kontributi i Sinan Maxherës e Mulla Idrizit në Kazanë e Gjilanit, si bashkëluftëtarë të Idriz Seferit, pastaj Mulla Rifatit të Drenicës e Shejh Hamdiut të Gjakovës si dy nga bashkëluftëtarët e Isa Boletinit;. me interes është edhe figura e Mulla Sinan Maxherës, si faktor i rëndësishëm në Kryengritjen e vitit 1910, të cilin, pas thyerjes së kësaj Kryengritje në grykën e Kaçanikut, xhonturqit do ta varin, duke ia ekspozuar trupin para masës. Në bazë të hulumtimeve tona na është krijuar përshtypja se numri i ulemave që u angazhuan në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte edhe më i madh sesa ky që kemi cekur në punim. Gjithashtu, është me interes të potencohet se për popullin e Vilajetit të Kosovës fatale ishte periudha e viteve 1912- 1913, që në histori njihet me togfjalëshin luftërat ballkanike, të cilat ishin të shoqëruara me terrorin serbo-malazez mbi popullin shqiptar, me ç’rast nuk u kursen e as ulemaja gjithandej Vilajetit të Kosovës, duke i keqtrajtuar, masakruar e disa prej tyre duke i varrosur për së gjalli. Sa i përket tolerancës ndërfetare, shohim se kemi të bëjmë, krahasuar me popujt e tjerë të Ballkanit, me një vetëdije konstruktive, të cilës pa asnjë dyshim i kanë kontribuar shumë edhe ulemaja. Marrë në përgjithësi, për kontributin e ulemave shqiptarë në Lëvizjen Kombëtare, në Vilajetin e Kosovës, në vitet që i kemi shqyrtuar, mund të thuhet me gojën plot se pjesa dërrmuese e tyre ishte pranë halleve, problemeve, fatkeqësive dhe kthesave historike të besimtarëve dhe të popullit të tyre. Shumë nga ulematë ishin përkrahës e pjesëmarrës në ngjarjet e shënuara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë viteve 1878-1912 në Vilajetin e Kosovës; shumë prej tyre, duke u përpjekur që ta mbrojnë nga terrorizimet dhe masakrimet popullatën së cilës i përkisnin u flijuan së bashku me të. Në mënyrë të veçantë, në periudhën e fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, kur u zhvilluan kryengritje gjithandej trojeve shqiptare, del në pah roli i pamohueshëm i ulemave për mobilizimin e përgjithshëm shpirtëror masave të gjera popullore shqiptare për ta mbrojtur atdheun nga mësymjet e egra sllave, por edhe kontributi i tyre që dhanë drejtpërdrejt si pjesëmarrës në këto zhvillime.
Vlerësimet e këshilltarëve shkencor për librin: “Krerët fetarë në lëvizjen kombëtare shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912)”, të autorit Dr. Nuridin Ahmeti.
Prof. Dr. Xheladin Shala, këshilltar shkencor në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, vlerëson se Dr. Nuridin Ahmeti e ka përmbyllur me sukses një projekt të rëndësishëm për historinë e Kosovës, për periudhën 1878-1912, sidomos për historinë e kulturës fetare dhe pjesëmarrjen e ulemave në këto rrjedha të historisë së Vilajetit të Kosovës. Ky dorëshkrim paraqet një studim me interes për shkencën dhe sa më parë që të jetë e mundur, do ta kisha rekomanduar, që të bëhet pronë e opinionit të gjerë shkencor, që nënkupton botimin e veçantë. Akad. Feti Mehdiu, ligjërues në Degën e Orientalistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, vlerëson se kjo është “vepër e cila e pajis lexuesin me një këndvështrim tjetër çfarë jemi mësuar zakonisht të lexojmë mbi krerët fetarë të Kosovës. Në këtë studim, autori, nëpërmjet burimeve relevante, paraqet me kujdes kontributin e krerëve fetarë të Kosovës edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Për shkak të vëllimit të madh të materialit, ky studim do të botohet në dy pjesë. Aktualisht po botohet vëllimi i parë, ku flitet mbi kontributin e krerëve shqiptarë myslimanë, ndërkaq në të dytin, do të spikatet kontributi i krerëve shqiptarë katolikë por dhe ortodoks. Si i tillë, ky studim shkencor do të jetë një kontribut i vlefshëm për historiografinë shqiptare të Kohës së Re, i cili në të ardhmen mund të shërbejë edhe si referencë për gjithë ata që mendojnë t’i qasen problemeve të ngjashme”. Prof. dr. Gazmend Rizaj, ligjërues në Degën e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, vlerëson se kombi shqiptar është i pasur me figura të shumta historike qoftë ato kombëtare, qoftë fetare. Kështu që, ata kaherë e kanë merituar studimin dhe nderimin, për çka autori i ri dr. Nuridin Ahmeti me monografinë “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës 1878-1912” ia ka arritur qëllimit që t’i vërë në pah disa nga krerët e njohur me tituj fetarë, por me bagazh të pasur kombëtar, duke i trajtuar realisht me qëllim t’i bëjë shërbim të mirë historisë sonë kombëtare. Pra, ata krerë nuk ishin vetëm në shërbime fetare, por gjithashtu i dhanë kontribut të çmueshëm edhe çështjes sonë kombëtare, duke shërbyer si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Nga Gani Tërshnjaku (kandidat për master në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)
- Advertisement -

MË TË FUNDIT