Krejt çka ndodhi dje në gjykimin e aktivistëve të Vetëvendosjes

Gjykata Themelore në Prishtinë dje i ka shpallur fajtorë deputetin e “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqin, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gjykata ka vendosur që deputeti Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim.

Pas vendimit të Gjykatës ka reaguar deputeti Krasniqi, i cili ka thënë se “kriminelët që i porositën e montuan dënimet e tyre do të mbajnë përgjegjësi para ligjit e para historisë”. “Nuk mjaftoi fakti që ADN-të tona nuk u përputhën me gjurmët nga vendi i ngjarjes. Nuk mjaftoi fakti që në pajisjet tona elektronike nuk u gjet asnjë gjë e vetme inkriminuese. Nuk mjaftoi ekspertiza e FBI-së që tha se asnjëri prej nesh nuk mund të lidhet me sulmin në Kuvend”, ka shkruar mes të tjerash Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Gashi: Vendimi është masakër në drejtësi

Ndërsa avokati i Krasniqit, Tomë Gashi, vendimin e Gjykatës e ka cilësuar si masakër në drejtësi.

Sipas Gashit, edhe pse pavarësisht të gjitha provave kjo Gjykatë për arsye politike ka vendosur t’i dënojë që ta mbulojnë vrasjen e Astrit Deharit, ndonëse një vendim i tillë është marrë vetëm dy ditë para rrethit të dytë të zgjedhjeve, shkruan Zeri.

“Është non sens juridik se si ky trup gjykues nuk u beson ekspertizave të veta. Kemi të bëjmë me një rast krejtësisht politik. Kjo është një masakër juridike. Është obligim ynë që të bëjmë ankesë dhe kjo çështje politike mund të rregullohet me trysni politike. Janë shpallur fajtorë pa asnjë provë”, ka thënë Gashi.

Pjesë e kësaj aktakuzës ka qenë edhe i ndjeri Astrit Dehari, i cili në nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ymeri: Vendimi i Gjykatës, politik

Me vendimin e Gjykatës nuk është pajtuar lëvizja “Vetëvendosje”. Kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, në një konferencë për medie, të premten, tha se ky vendim nuk sjell drejtësi, por është kryekëput politik.

“Dënimi i sotëm i katër aktivistëve të “Vetëvendosjes”, si dhe pastaj burgosja e tre prej tyre nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dëshmoi që ky rast është politik. Dënimet e larta pa pasur asnjë dëshmi e zhvendosin Gjykatën nga parimet dhe procedurat e ligjit te dënimet politike”, ka thënë Ymeri  pas shpalljes së vendimit nga Gjykata.

“Vendimi nuk sjell drejtësi, nuk e zbardh rastin, por synon ta mbulojë vdekjen e Astritit. Vetë data kur jepet ky vendim tregon se synim i dënimit ka qenë dëmtimi i “Vetëvendosjes”. Kjo nuk do ta ndalë LVV-në, por tregon qartë se sa thellë dhe rrezikshëm është kapur shteti i Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Ai gjithashtu shtoi se angazhimi i lëvizjes “Vetëvendosje” vetëm sa do të shtohet, mobilizimi i tyre vetëm sa do të rritet e shtohet dhe sipas Ymerit lufta politike e shteti kundër LVV-së është në luftë, që do t’i përgjigjemi me mobilitet. Ndërsa deputeti i kësaj Lëvizjeje, Dardan Molliqaj, ka thënë se shpallja e vendimit pikërisht sot, në ditën e mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, ka qenë për ta dëmtuar lëvizjen “Vetëvendosje”.

Sipas tij, ky rast do të përfundojë me pafajësi të aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

“Mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se ky rast do të përfundojë me pafajësi të plotë për aktivistët tanë. Ata janë të pafajshëm, sepse ashtu thonë provat dhe dëshmitë. E kam përcjellë këtë rast dhe mund të them se qëllimi është që t’i bëhet dëm lëvizjes “Vetëvendosje”. Por sa më shumë që pushteti persekuton qytetarin, aktivistin, aq më afër populli do të jetë e ne aq më afër tij”. Ai ka theksuar se nuk ka asnjë dëshmitar që fajëson aktivistët dhe të gjitha dëshmitë tregojnë që ata nuk e kanë bërë veprën për të cilën janë dënuar./ZERI/.