Krejt çka dihet deri tash për situatën në veri

Afrimi i afatit për fillimin e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me dokumente ka bërë që të ngritën tensionet në veri të Kosovës. Disa rrugë në veri kanë filluar të bllokohen ndërsa qytetarët serbë janë thirrur me sirena që të mblidhen.

Në orët e pasditës të së dielës, sirena të alarmit u lëshuan në Mitrovicën e Veriut. Këto sirena janë thirrje për serbët e veriut që të mblidhen. Kjo po ndodhte ndërkohë që ia ashtuquajturi “kryetari i zyrës për Kosovën” Aleksandar Petkoviq kishte mbledhur eksponentë të Listës Serbe, parti që thirret në përfaqësimin e serbëve të Kosovës, në Rashkë të Serbisë për “konsultime”. Takimi po mbahej pas dyerve të mbyllura.

Pas më pak se një ore, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, konfirmoi se ishte bllokuar një rrugë në fshatin Rudarë të komunës së Zubin Potokut. Kjo kishte ndodhur pasi ishte përhapur një lajm i rrejshëm që njësitet speciale do të bllokonin fshatin.

“Kishte bllokim të rrugës në Zubin Potok afër Rudarit. Pretendohet se është përhapur një lajm i rrejshëm se komuna do të bllokohet nga njësitet speciale, që absolutisht nuk është e vërtetë dhe se nuk ka asnjë qëllim të tillë”, ka thënë Hoti.

Sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

KFOR-i ka konfirmuar se ka dalë në terren dhe po monitoron të situatën. Lidhur me sirenat e alarmit që janë dëgjuar vazhdimisht për një orë në pjesën veriore të Mitrovicës, KFOR-i është duke monitoruar situatën dhe aktualisht po mbledh informacione. Kështu kanë kanë konfirmuar për KoSSev Zyra për Informim e Shtabit të KFOR-it.

Në ndërkohë, kishte përfunduar takimi i thirrur nga Petkoviq në Rashkë të Serbisë.

Ai ka thënë se ka qenë “diskutim i gjatë dhe i vështirë”. Ai ka përmendur zbatimin e marrëveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke pretenduar se Asociacioni do të normalizonte raportet Kosovë – Serbi.

“Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit e serbëve sot se duan të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe. Nëse do të kishim sot ASK, nuk do të kishte ndodhur gjithçka që po ndodh sot”, ka thënë Petkoviq, raporton media serbe “Novosti”.

Kosovapress raporton se disa automjete të mërgimtarëve shqiptarë që kanë mësyrë Jarinjen për të hyrë sot në Kosovë, kanë mbetur të bllokuar për shkak të masës së serbëve të mbledhur në Rudare.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak dhe ka bërë thirrje që të përdoren pikat tjera kufitare.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për çështjen e njohjes së dokumenteve.

Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi./Gazeta Express/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT