Krasniqi viziton Drenasin, bën homazhe pranë shtatoreve në sheshin “Fehmi Lladrovci”

Kampioni i Botës në Boks, Robin Haxhi Krasniqi, ka vizituar Komunën e Drenasit, ai atje është pritur nga kryetari Ramiza Lladrovci.

Lladrovci i ka dhuruar Krasniqit mirënjohjen për kontributin e tij në promovimin e sportit dhe lartësimin e Kosovës, si dhe i ka dhuruar librin e Bedri Islamit kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit.

Këtë e bëri të ditur Lladrovci me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, duke shtuar se “Kemi bërë nderim dhe kemi vendosur lule të freskëta pranë shtatoreve të heronjve dhe heroinës në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Sot, kemi qenë të nderuar me vizitë në komunën e Drenasit të kampionit botëror në boks, Robin Haxhi Krasniqit, mikut tim i cili na bëri të gjithëve krenar.

Miqësia ime me sportistët është e veçantë, ndërsa nga takimi i parë, tash mikun tim, boksierin Krasniqi, shumë vite më parë, e kam parë dhe vlerësuar shumë guximin, talentin dhe besimin e tij në fitore.

Sot, Robin Haxhi Krasniqin e kam pritur në Zyrën time, ku ia kam dhuruar Mirënjohjen për kontributin e tij në promovimin e sportit dhe lartësimin e shtetit tonë, ia kam dhuruar librin e Bedri Islamit kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit.

Po ashtu, ia kam dhuruar medaljonin e punuar nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave të Drenasit.

Ndërsa ai ka shkruar përshtypje në librin e mysafirëve të komunës, “Forca e bën fuqinë”.

Më pastaj kemi bërë nderim dhe kemi vendosur lule të freskëta pranë shtatoreve të heronjve dhe heroinës në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Ne kishim planifikuar edhe takim në klubin e Futbollit “Feronikeli”, por për shkak të kohës, takimi do të mbahet sonte.

Jemi krenar me përkushtimin tuaj miku im, Robin Haxhi Krasniqi, me promovimin e shpirtit garues dhe sportit si dhe promovimin e shtetit dhe vlerave tona!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT