Krasniqi: Procesi zgjedhor në Drenas i rregullt, balotazhi dështim për PDK-në

Proces të rregullt e ka quajtur atë të balotazhit në Drenas, Albert Krasniqi i KDI-së.

Ai dhe organizata e tij kanë monitoruar gjithë procesin zgjedhor dhe ka thënë se në këto zgjedhje në Drenas nuk ka pasur “dalje të votuesve me 120 për qind”.

“Dalja në zgjedhje nuk ishte më e madhe se në komunat tjera, madje ishte pak nën mesatare në nivel të Kosovës”, ka thënë Krasniqi në “Interaktiv” të KTV-së, i cili megjithatë ka numëruar një mori problemesh që kanë përcjell këto zgjedhje.

“Problemet ishin të njëjta me ato që i hasim në zgjedhjet në Kosovë. Fotografimi i votës ishte prezent, dhe kjo konsiderohet shkelje sepse mund të përdoret për të blerë e fotografi është dëshmi se vota ka shkuar aty ku është blerë. Blerja dhe shitja e votës dënohet me ligj deri nga 1 deri në 5 vjet burgim”, ka thënë Krasniqi.

Ka folur edhe për asistimin në votim, që ka thënë se është hasur në pesë raste.

“Kjo nuk është e palejueshme. Por kurrsesi nuk mundet që komisionarët apo vëzhguesit e zgjedhjeve të jenë asistues në votim. Ne kemi regjistruar pesë raste të tilla, ndërsa njëri prej tyre ka qenë kryesuesi i Qendrës së Votimit”, ka thënë Krasniqi, përcjell Koha.net.

Krasniqi ka thënë se vëzhguesit e tyre në terren kanë parë mobilizimi të jashtëzakonshëm të partive për këto zgjedhje, e sidomos nga ana e PDK-së.

“Shkuarja në balotazh është një dështim për PDK-në. Mobilizimi që e ka pasur në Drenas do të jetë vështirë që të arrihet kur ka zgjedhje në të gjitha komunat në të njëjtën kohë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshimin e afatit për zgjedhje në balotazh, dy javë para afatit të përcaktuar ligjor e i cili do t’i binte që zgjedhjet të mbaheshin në ditën e parë të vitit të ri, Krasniqi e ka konsideruar shkelje me konsensus të KQZ-së. Ka kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçi që nuk ka llogaritur mirë afatin ligjor se kur mund t’i binte rundi i dytë i zgjedhjeve.