KPJ, diskutoi lidhur me anëtarësimin e Kuvendit në organizata parlamentare

Anëtarët  e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, kanë biseduar lidhur me anëtarësimin e  Kuvendit të Republikës së Kosovës në organizata parlamentare.
Duke e dhënë një pasqyrë të marrëdhënieve  të rregullta të Kuvendit të Kosovës me organizata të ndryshme parlamentare  evropiane dhe rajonale, Hoxhaj ka konstatuar me keqardhje se  legjislativi  i vendit  është institucioni më i izoluar i vendit. Ai në vazhdim ka folur për  mundësitë që  Kuvendi  i Kosovës të anëtarësohet në organizata të ndryshme parlamentare, në agjenci  parlamentare, në mekanizma të organeve parlamentare, si dhe në rrjete të ndryshme të deputetëve.
Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë paraqitur ide të ndryshme për afirmimin ndërkombëtar të Kuvendit të Kosovës, duke e anëtarësuar në organizata dhe mekanizma të tjerë ndërparlamentarë.  Ata kanë  mbështetur idenë që të studiohen mundësitë për anëtarësim në këta mekanizma, si dhe kanë  kërkuar  që të përgatitet lista me prioritete për  organizatat e dhëna, bashkë me ekspertizat profesionale për procedurat e anëtarësimit.
Mbështetëse të fuqishme  të anëtarësimeve të synuara mund të jenë grupet e miqësisë ndërmjet  Kuvendit të Kosovës dhe parlamenteve tjera, është thënë në takim. Anëtarët e komisionit kanë pohuar se deputetët i kanë dorëzuar formularët për  të qenë anëtarë në grupe të caktuara të miqësisë,  por arsye për vonesën e krijimit të tyre e kanë vlerësuar  këndvështrimin e ndryshëm  të  Komisionit dhe  të Kryesinë e Kuvendit , lidhur me funksionimin e këtyre grupeve të miqësisë.
Po në takimin e sotëm , Komisioni për Punë të Jashtme ka shqyrtuar edhe agjendën e vizitave të anëtarëve të tij në parlamente të tjera.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT