Kostiq: Jemi mposhtur, por si të heqim dorë nga Kosova me dinjitet?

Kryetar i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencës, Vladimir Kostiq, ka thënë sot se pyetja e vetme në këtë aktualitet politik, është se si Serbia ta pranojë humbjen e Kosovës me dinjitet, pasi më Kosova “as de fakto, e as de juro, nuk është në duart e Serbisë.”

“Për disa njerëz, duhet të thuhet se Kosova nuk është më në duart tona, as de fakto e as de juro. Druaj se në këto momente, menquria e vetme politike është si të heqim dorë nga Kosova me dinjitet. Kjo duhet të thuhet për disa njerëz”, ka thënë Kostiq për Radio Beogradin, transmeton Indeksonline.

“Kosova nënkupton një pjesë të madhe të bazës kulturore serbe për të cilën duhet të luftojmë dhëmb me dhëmbë, mirëpo gjërat janë të qarta. Ne mund ta gënjejmë veten, por është e qartë se Kosova nuk është më në duart e Serbisë”, ka thënë Kostiq.

Sipas Kostiqit, nëse ndonjë ministri apo kryeministrit serb i duhet leje për të hyrë në territorin e Kosovës, ëshë e qartë se Serbia nuk ka ndonjë kapacitet që ta imponojë vullnetin e njerëzve, apo realitetin ekonomik.

Ndërkaq, Kostiq ka thënë se aleanca e Serbise me Rusinë, është aleancë artificiale, duke thënë se Bashkimi Evropian është e vetmja alternativë që i ka mbetur Serbisë.

“Sido që të goditet Serbia, duhet të vazhdojë të rris kapacitetet demokratike dhe fushën e lirive, ndryshe nuk do të mbijetojë”, ka thënë ai.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT