Shqiptarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut iu drejtuan Shqipërisë për pushimin e fundjavës.

Këto pamje tregojnë fluksin e lëvizjes në Morinë ku për të përballuar fluksin u punua me 6 sportele dhe procedurë të përshpejtuar.

Për pjesën më të madhe destinacion ishte bregdeti, nga jugu i thellë deri në Shëngjinin më të afërt.

“Unë për Durrës, po shkojmë po rrimë 2-3 ditë,” thotë një qytetar kosovar.

“Me shëtit për qejf, pak Tiranën, pak Durrësin,” thotë një tjetër.

Përmirësimi i situatës së koronavirusit thonë se i ka qetësuar, ndërsa situata kriminale në Shqipëri thonë se nuk i tremb.

“Të kënaqemi me fëmijët, familjen,” thotë një pushues.

Durrësi është një prej destinacioneve tradicionale për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Më pëlqen dhe të them të drejtën synoj të jem edhe banor këtu,” thotë një pushues.

Edhe pse kushtet atmosferike nuk ishin optimal, pushuesit e fundjavës gjallëruan plazhet në të gjithë bregdetin duke sjellë shpresë për gjallërimin e sektorit aq të goditur nga pandemia e koronavirusit./Ora news/