Kosova rrezikon t’i humbë gjysmë miliard euro në gjykata ndërkombëtare

Kosova rrezikon të humbë rreth 500 milionë euro nga pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në gjykata ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.

Nga tri padi, dy veçse janë humbur dhe vlera e dëmit është dhjetëra milionëshe. Të martën u konfirmua vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, sipas të cilit Telekomi i Kosovës-Vala duhet t’i paguajë rreth 30 milionë euro “Devolli Group”. Ky vendim erdhi pasi kompania “Z-mobile” kishte ushtruar padi me akuzën se është shkelur kontrata dhe nuk i janë ofruar shërbimet e kërkuara sipas kontratës.

Kurse para disa muajsh Ministria e Punëve të Brendshme ka humbur rastin me kompaninë austriake për tenderin e pasaportave, ku shuma financiare që duhet t’i paguajë asaj është 5 milionë e 300 mijë euro. Edhe pse MPB-ja ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Ekonomike në Prishtinë, ajo është refuzuar.